Në Shkodër i rrahin futbollistët kosovarë
Një ngjarje e pazakontë dhe e pahijshme ka ndodhur në Shqipëri. Dy futbollistët kosovarë të Besës së Kavajës, Bernard Berisha dhe Argjend Mustafa, kanë deklaruar se pas ndeshjes ndaj Vllaznisë, janë sulmuar fizikisht nga drejtori sportiv i klubit shkodran, Armir Grima dhe futbollistët Alis Boci e Ervis Kraja. Sipas tyre, gjithçka ka ndodhur në tunel,…

Sport
Një ngjarje e pazakontë dhe e pahijshme ka ndodhur në Shqipëri. Dy futbollistët kosovarë të Besës së Kavajës, Bernard Berisha dhe Argjend Mustafa, kanë deklaruar se pas ndeshjes ndaj Vllaznisë, janë sulmuar fizikisht nga drejtori sportiv i klubit shkodran, Armir Grima dhe futbollistët Alis Boci e Ervis Kraja.
Sipas tyre, gjithçka ka ndodhur në tunel, në momentin kur skuadrat po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes.
“Pasi mbaroi ndeshja, ndërsa të gjithë lojtarët po hynin brenda normalisht, Grima e Boci mu sulën me grushte e shkelma. I dallova menjëherë, por nuk e di shkakun pse po më prisnin mua. Pas meje po vinte Mustafa dhe menjëherë, duke më parë në atë situatë, ndërhyri për t’i larguar, por edhe ai mori si ‘shpërblim’ disa shqelma e grushte. Atë e goditën drejtues të Vllaznisë dhe lojtari i tyre, Kraja”, tha Berisha për “Panorama Sport”.
“Ky është një turp dhe nuk e di arsyen përse? Gjatë 90 minutave nuk pati asgjë mes nesh si lojtarë në fushë, por besoj se inati ndaj meje ka qenë pse unë luajta me shpirt në fushë. Nuk di tjetër shkak, pasi nuk kam bërë asgjë, por vetëm kam luajtur futboll. Ky është një gjest i ulët nga shkodranët. Sikur të veprojmë edhe ne kur të vijnë ata në Kavajë, atëherë çfarë do të ndodhte? Turp për Vllazninë! Nuk ua kam unë fajin pse ata rrezikohen të bien nga kategoria. Jam pjesë e Besës dhe mbroj ngjyrat e kësaj skuadre. Në Shkodër shkova për të luajtur futboll dhe jo të dhunohesha nga drejtuesit e lojtarët e Vllaznisë”, ka thënë i irrituar Berisha.
Edhe ish futbollisti i Prishtinës, Mustafa, e ka treguar versionin e tij. “Ndërsa po hynim te tuneli, shoh që Grima e Boci po e godisnin me shqelma e grushte Berishën. Hyra për t’i ndarë, pasi e quaj veprim të ulet, por mora grushte të tjerë mbi mua nga Grima e Kraja. Nuk gjej motiv dhe shkak për këtë veprim kafshëror të drejtuesve e lojtarëve të Vllaznisë. Sinqerisht, askush nuk i ka provokuar apo fyer, qoftë me një fjali të vetme. Gjithçka në fushë ka qenë korrekte, por mendoj se drejtuesit e Vllaznisë nxitën për dhunë lojtarët e tyre. Ky është një turp dhe kurrë në karrierën time nuk më ka ndodhur kështu”, theksoi kosovari i Besës.
Sipas shkodranëve, Berisha ka provokuar gjatë lojës lojtarët sllavë të Vllaznisë, duke u folur në gjuhën e tyre. “Ik mor serb!”, mësohet t’i ketë thënë Berisha portierit Vujadinoviç, por gjithsesi lojtari e mohon kategorikisht këtë. Mësohet se sherri në tunel është parë edhe nga delegati e vëzhguesi i takimit, të cilët pritet të raportojnë për atë që ka ndodhur.
Shefi i klubit të Besës, Shaban Myftiu, ka konfirmuar atë që ka ndodhur pas ndeshjes në Shkodër.
“Dhuna ndaj lojtarëve tanë, Berisha e Mustafa, ka ndodhur në sytë e policëve të komisariatit të Shkodrës”, tha ai.
Klubi i Vllaznisë ka reaguar nëpërmjet një komunikate menjëherë pas akuzave të futbollistëve Berisha e Mustafa.
Shkodranët e kanë akuzuar këtë të parin se ka provokuar gjatë gjithë ndeshjes dhe se është gjithmonë prezent dhe protagonist kur shkaktohen tollovi dhe incidente në fushë.