Në Serbi thonë se Albin Kurti po kërkon justifikime për ta vonuar vazhdimin e dialogut

Zëvendëskryeministrja serbe, Zorana Mihajloviq tha sot se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, me deklaratën se “Asociacioni i Komunave Serbe ka vdekur” po kërkon një justifikim për të vonuar vazhdimin e dialogut me Beogradin.

Lajme

22/10/2019 13:15

“Asociacioni i Komunave Serbe nuk është një projekt serb, por një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës e arritur nën kujdesin e Bashkimit Evropian, ashtu si prezantimi i taksës së njëanshme të Prishtinës që është dënuar nga e gjithë bota”, ka thënë Mihajloviq.

Ajo ka thënë se tani është koha që politikanët e Kosovës të marrin përgjegjësitë për marrëveshjet e nënshkruara midis Beogradit dhe Prishtinës, të fillojnë zbatimin e tyre dhe të kthehen në dialog, transmeton lajmi.net.

“Në vend që të marrë përgjegjësi dhe ta kthejë palën shqiptare në dialog, Kurti pretendon se gjithçka duhet nisur me të dhe nuk interesohet për marrëveshjet e nënshkruara nga paraardhësit e tij. Në të vërtet ai po tregon se nuk ka kushte për dialog”, ka theksuar zëvendëskryeministrja serbe.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Marko Gjuriq ka thënë se Albin Kurti nuk është i interesuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, e as për një të ardhme më të mirë për popullin serb dhe shqiptar.

“Duke mos inkurajuar krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Kurti zhvlerëson drejtpërdrejt BE-në, me ndërmjetësimin e të cilëve është arritur edhe Marrëveshja e Brukselit”.

Ai shtoi se Serbia pret me padurim një vlerësim të qartë të BE-së për pikëpamjet e liderëve të Kosovës dhe ato të kandidatit për kryeministër, lidhur me marrëveshjet e Brukselit dhe angazhimet e bëra në proces. /Lajmi.net/