Në Rudnicë janë varrosur shqiptarë
Rezultatet e analizave të kryera nga ekspertët serb, të mbetjeve mortore të gjetura në Rudnicë të Rashkës, kanë treguar se trupat ju përkasin etnisë shqiptare. Besohet se aty janë të varrosur mbi 250 trupa të civilëve shqiptarë të Kosovës.
Lajme
Këto rezultate ende nuk janë publikuar zyrtarisht, por në mënyrë gojore për këto gjetje është njoftuar edhe Kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj.
“E dimë që ka rezultate, por emrat ende nuk na i kanë sjellë. Janë të përkatësisë etnike shqiptare të Kosovës”.
“Zyrtarisht rezultatet i marrim prej së hënës e andej. Gojarisht jam njoftuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, ka thënë Gjetaj për “Koha Ditore”.
Për këto rezultate, në mënyrë jo zyrtare është informuar edhe Drejtori i Mjekësisë Ligjore Arsim Gërxhaliu. Ai thotë se nuk ka “mëdyshje” se trupat janë shqiptarë të Kosovës
“Dje na është konfirmuar se pala serbe ka marrë rezultatet e ADN-së, por neve nuk na janë dorëzuar ende. Nuk ka mëdyshje se bëhet fjalë për shqiptarë të Kosovës dhe i takojnë luftës së fundit”.
Besohet se në Rudnicë janë varrosur mbi 250 persona dhe shumica e tyre vijnë nga rajoni i Drenicës.
Besohet se janë tri lokacione që kanë të varrosur trupa të civilëve shqiptarë. Të gjitha këto janë në rajonin e Rashkës. Vetëm kjo e Rudnicës deri më tani është konfirmuar.