Në Reçicë të Tetovës, paraqiten sëmundjet e para nga papastërtia
Në Reçicën së Vogël, papastërtitë kanë dhënë efektin e sëmundjeve të para. Banorët ankohen jo vetëm për vështirësi në frymëmarrje, vjellje të shpeshta por dhe puçrrat e shumta në trup.

Lajme
Si pasojë e daljes mbi tokë të papastërtive nga kanalizimet dhe ujërat e zeza që sollën vërshimet, një numër i madh i fëmijëve dhe të moshuarve, kanë filluar të ndjejnë shenjat e parë të epidemive.
Banorët e kësaj lagjeje përdorin maska, ndërkohë që shumë prej tyre, po përpiqen t’i largojnë fëmijët dhe të moshuarit, tek të afërm të tjerë në rajone më të largëta.
Ata i bëjnë apel komunës por edhe autoriteteve shëndetësore të përshpejtojnë masat dezinfektuese dhe parandaluese të epidemive, filluar nga pastrimi i oborreve e deri tek klorimi i vendeve të ndotura.
ALSAT i vizitoi nga afër të sëmurët, mes tyre edhe 11 vjeçari Omer Islami, i cili që prej ditës së djeshme, ka frymëmarrje të vështirësuar, kollë dhe puçrra në lëkurë.
“Po, prej erës keqe. Edhe jam mbush me puçrra prej kur u bë kjo. Nuk mund të marrë frymë prej erës së keqe”, u shpreh ai.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Shaban Memeti, i kontaktuar nga ALSAT sqaroi se rastet me simptoma të tilla të banorëve duhet të lajmërohen menjëherë në spitalin e Tetovës dhe jo thjesht nëpër ambulanca.
Ai iu kërkoi banorëve të prekur nga vërshimet që të vazhdojnë të mos e përdorin ujin nga çezmat. Komuna nga ana tjetër, i bën thirrje banorëve për durim, pasi po bëjnë maksimumin për pastrimin e ndotjeve dhe dezinfektimin sa më shpejt të rajonit.
“Menjëherë pas tërheqjes së këtyre mbeturinave apo rrënojave do fillojë edhe pastrimi i rrugëve por edhe dezinfektimi i hapësirave publike dhe shtëpive”, theksoi Ahmed Qazimi, Anëtar i shtabit të krizës.
Po ashtu, banorëve iu bëhet apel që të paraqesin rastet e tyre, në komunë dhe të regjistrohen për dezinfektimin e shtëpive dhe oborreve të tyre