Në prag të zgjedhjeve evropiane, Shpend Ahmeti i dërgon letër kryetarit të Socialdemokratëve evropianë

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, i ka dërguar letër kryetarit të Partisë së Socialistëve Evropianë, Sergei Stanishev, në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Lajme

23/05/2019 19:24

Në letrën e Ahmetit, tuhet se “është në interesin e Bashkimit Evropian, veçanërisht të potencialit të tij emancipues, që vlerat politike që mbizotërojnë të mbesin ato që e krijuan – barazia, paqja e solidariteti mes popujve, të përbrendësuara këto në marrëdhëniet mes shteteve, si rrugë e vetme drejt mirëqenies dhe bashkëjetesës”.

Ahmeti i ka uruar suksese të gjithë anëtarëve të Partisë së Socialistëve Evropianë.

“I nderuar President Stanishev. Në vigjile të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, më lejoni që t’ju uroj suksese në këto zgjedhje, të gjithë anëtarëve të Partisë së Socialistëve Evropianë (PES ) dhe të urojmë bashkërisht një Parlament Evropian Socialdemokrat. Këto zgjedhje janë një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjitha forcat progresive politike në Evropë dhe globalisht, meqë vijnë në një kohë jo pak dramatike dhe jo lehtë të parashikueshme, politike në kontinentin tonë. Është në interesin e Bashkimit Evropian, veçanërisht të potencialit të tij emancipues, që vlerat politike që mbizotërojnë të mbesin ato që e krijuan – barazia, paqja e solidariteti mes popujve, të përbrendësuara këto në marrëdhëniet mes shteteve, si rrugë e vetme drejt mirëqenies dhe bashkëjetesës. Është veçanërisht në interesin tonë si socialdemokrat në Kosovë, në Ballkan, vend këto ku zhvillimet politike në BE kanë reflektim e ndikim të drejtpërdrejt, që partitë socialdemokrate të vendeve anëtare të korrin sukses dhe ta ndikojnë kursin e politikave të vendeve të BE-së karshi rajonit”, thuhet ndër të tjera në letrën e Ahmetit.