Në Pejë rikthehen 27 familje rome e egjiptiane
Komuna e Pejës, përfaqësuesi i të zhvendosurve, dhe UNHCR-ja, të mërkurën kanë nënshkruar një marrëveshje me të cilën parashihet kthimi i të zhvendosurve të kësaj komune nga Mali i Zi dhe Maqedonia.

Lajme
Në listë për t`u kthyer janë 27 familje të komunitetit rom dhe egjiptian, ndërkaq për shtatë prej tyre do të ndërtohen shtëpi.
Marrëveshja trepalëshe parasheh që Komuna të ndajë parcela për rikthimin e të zhvendosurve. Sipas marrëveshjes, UNHCR-ja do të mbështesë ndërtimin e shtëpive për të kthyerit.
Përfaqësuesi i UNHCR-së, Besim Alaj ka bërë të ditur se kjo organizatë do t`i mbështesë këta të zhvendosur edhe me pako ushqimore e higjienike.
Sipas marrëveshjes, të zhvendosurit nga këto dy shtete fqinje do të mund të kthehen në Pejë nga mesi i tetorit të këtij viti.
Komuna e Pejës tashmë ka ndarë parcelat për ndërtimin e shtatë shtëpive, ndërkaq për 20 të tjera, autoritete komunale kanë thënë se nevojitet ndonjë donacion.
Sipas Durim Sheremetit, shef i kabinetit të kryetarit Gazmend Muhaxheri, Komuna prej dy vjetësh është marrë me çështjen e të zhvendosurve në Mal të Zi dhe në Maqedoni, por vetëm tash ka arritur të bëjë të mundshëm kthimin e disa familjeve, shkruan Koha Ditore.