Në parim, opozita është pajtuar me AAK’në

Aridan Gjini thotë se përfaqësuesit e LDK’së dhe Vetëvendosjes janë të gatshëm në parim që të bashkëpunojnë me AAK’në për ta votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Ai pret që të sigurohen 61 deputet për ta votuar këtë mocion.

Lajme

14/02/2014 16:27

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës janë pajtuar parimisht me nismën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ardiani Gjini, thotë për lajmi.net se në takimin e djeshëm ka marrë përgjigje pozitive nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje lidhur me mocionin.

Ai pret që në një takim e radhës mes përfaqësuesve opozitarë të konkretizohet koordinimi për ta marrë këtë hap.

“Të gjitha partitë janë pajtuar në parim me propozimin tonë. Ne do të takohemi prapë gjatë ditës për të marrë përgjigje definitive”.

“Vetëvendosje është shumë afër qëndrimit tonë, por, sipas të gjitha gjasave, do ta kalojnë këtë temë nëpër forumet e tyre”.

Gjini është optimist se do të sigurohet numri i mjaftueshëm i votave (61) për ta rrëzuar Qeverinë e Hashim Thaçit, nëse me këtë pajtohen partitë opozitare.

“Ne kemi kërkuar koordinim të opozitës, që nënkupton prezenca e të gjithë deputetëve në sallë, për të pasur 61 vota, plus angazhimi i të gjithëve për t’u koordinuar me deputetët e pavarur dhe të pakicave”.

Gjini thotë se nuk ka nevojë për votat e deputetëve të PDK’së, pasi që, sipas tij, ka numra të mjaftueshëm nëse pajtohen dy partitë tjera të opozitës.

“Ka shumë deputetë në Kuvend të Kosovës që janë të gatshëm ta votojnë rrëzimin e Qeverisë dhe numrat janë më se të mjaftueshëm, nëse dy partitë tjera në opozitë pajtohen”, thotë Ardian Gjini për lajmi.net.