Në një shtet normal demokratik kryeministri Mustafa sot do të jepte dorëheqje

Mediat sot zbuluan se djali i kryeministrit Isa Mustafa, me kompaninë e tij ka fituar një tender në vlerë 2900 euro në institucionin e udhëhequr nga babai i tij. Vlera e tenderit ndoshta nuk është shumë e madhe, por përballë principit ajo nuk ka fare rëndësi. Kryeministri Mustafa reagoi duke e quajtur budallallëk publikimin e lajmit, por në një vend normal demokratik, reagim i kryeministrit në këtë rast do të mund të ishte edhe dorëheqja.

Lajme

24/08/2015 23:15

Kryeministri Isa Mustafa u përfshi sot në një skandal, ku u zbulua se djali i tij ka fituar tender nga Zyra e Kryeministrit për servisim të një veture, e tipit BMË. Vlera e tenderit në letra ishte 2900 euro dhe ishte lajm i ditës. Si për habi, Mustafa e mbrojti cështjen duke thënë se më skandal janë budallakitë e mediave që skandalizojnë njerëzit që punojnë. Edhe zyra e tij e shtypit lëshoi deklaratë duke thënë se nuk ka asgjë të keqe që djali i kryeministrit ka marrë tender dhe se procedurat ishin ligjore, shkruan lajmi.net.

Por cfarë ndodhë në vende demokratike dhe të zhvilluara kur një udhëheqës qeveritar ta zëmë përfshihet në ndonjë skandal të vogël, qoftë edhe më i thjeshti i mundshëm. Ka plot raste nëpër botë kur ministrat kanë dhënë dorëheqje vetëm edhe për një deklarim jo korrekt e që është quajtur fyes. Gjithsesi, le të kujtojmë disa raste shumë interesante të doreheqjeve.

Viti 2014, Angli

Ministri britanik i Emigracionit, Mark Harper, ka dhënë dorëheqje pasi u kuptoi se ka punësuar një pastruese e cila nuk kishte leje pa afat për të punuar në Britani të Madhe.

Dorëheqjen e tij Harper ia dorëzoi kryeministrit britanik David Cameron.

“Cameron e ka pranuar me keqardhje dorëheqjen”, njoftoi zyra e Kryeministrit. “Nuk ka asnjë dëshmi se z. Harper qëllimisht ka punësuar emigrante të paligjshme”, thuhet në këtë deklaratë.

Harper ka shpjeguar se ka bërë verifikime kur punësoi pastruesen në prill 2007, duke marrë kopjen e pasaportës dhe letrën nga Home Officfe, që thoshte se ajo ka të drejtë të punojë në Britani. Ai shtoi se ka marrë parasysh çështjen kur u emërua ministër i Kabinetit në maj 2010, ndërsa kur u emërua ministër i Imigracionit ka menduar se “nuk ka nevojë për verifikime tjera”.

Një vit më vonë, tha ai, ka folur për punëdhënësit dhe pronarët që bëjnë “kontrolle të arsyeshme” ndaj punëtorëve. Në këtë aspekt, ka menduar se është mirë që edhe ai të verifikonte të gjitha dokumentet për pastruesen e tij.

Më vonë, pasi duke ishte në gjendje për të gjetur dokumentet, ai kërkoi nga pastruesja kopjet. Por, kur zyra e tij private ka kontrolluar të dhënat me zyrtarët e emigracionit, u gjet se ajo nuk kishte leje të qëndrimit pa afat në Britani të Madhe, pra as për të punuar.

“Edhe pse jetoj në përputhje me ligjin, në çdo kohë, konsideroj se si ministër i Emigracionit, i cili është duke bartur legjislacionin në Parlamentit për të përforcuar ligjet tona të emigracionit, unë duhet të kem standarde më të larta se të tjerët”, ka thënë ai. “Unë kam besuar gjithmonë se politika është një lojë ekipore, jo një sport individual. Më vjen keq për turpin që kam shkaktuar”.

Kryeministri, në përgjigjen e tij ndër të tjera ka thënë: “Është tipike nga ju që të jeni kaq të ndërgjegjshëm ndaj interesave më të mëdha”.

Viti 2013, Poloni

Ministri i Transportit i Polonisë ka dhënë dorëheqje, pasi prokurorët kanë thënë se ai mund të ketë shkelur ligjin pasi nuk ka deklaruar në pronësi të vet edhe një ore dore, në vlerë prej 6 600 dollarëve.

Kryeministri Donald Tusk ka pranuar dorëheqjen e ministrit Novak, edhe pse ka thënë se ai mund t’i kthehet punës së tij nëse hetimet mohojnë keqbërjen e tij.

Viti 2011, Gjermani 

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, ka dhënë dorëheqje pas gjetjes se ka kopjuar pjesë të mëdha të doktoraturës së tij universitare. Guttenberg, i cili ishte konsideruar edhe si kandidat i mundshëm për kancelar, kishte hequr dorë edhe nga doktoratura e tij. /lajmi.net