“Në nëntor shkoj në SHBA”, Kurti tregon për kur është shtyrë vizita e tij

Kryeministri Albin Kurti, në shtator të këtij viti kishte deklaruar se po planifikon që gjatë muajit nëntor të udhëtojë për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajme

05/12/2021 20:01

Megjithëse ishte kritikuar nga opozita për qasjen e tij ndaj partnerëve ndërkombëtar, e me theks të veçantë për raportin me SHBA-të, Kurti kishte mohuar se ka prishje të raporteve, ndërsa kishte thënë se ka qenë subjekti i parë politik që e kishte përkrahur publikisht kandidaturën e Joe Biden për President të SHBA-ve, shkruan lajmi.net.

Por, edhe pse muaji nëntor tashmë ka përfunduar, Kurti nuk ka bërë ndonjë udhëtim zyrtar për në SHBA.

Lajmi.net para disa ditëve ka provuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për ta pyetur se cila është arsyeja e mos realizimit të vizitës së Kurtit në SHBA, por i njëjti nuk ishte përgjigjur në telefon.

Në anën tjetër, sot kryeministri Kurti ka deklaruar para mediave se tashmë është duke u planifikuar vizita e tij në SHBA për në fillim të vitit të ardhshëm.

“Shefi i stafit të kryeministrit, Z. Luan Dalipi është duke e përgatitur vizitën time në SHBA në fillim të vitit të ardhshëm, mirëpo ne nuk do të njoftojmë për takime të veçanta pa u bërë programi i plotë”, tha Kurti.

Ende nuk dihet arsyeja pse Kurti nuk ka udhëtuar për në SHBA gjatë muajit nëntor ashtu siç kishte deklaruar, ndërsa kur ishte pyetur në muajin shtator nga deputetët e opozitës pse nuk kishte shkuar në Asamblenë e Përgjithshmë në Organizatën e Kombete të Bashkuara – OKB, Kurti kishte deklaruar se nuk kishte pasur për synim të shkonte atje, ndërsa kishte thënë se as nuk kishte aplikuar për vizë. /Lajmi.net/

LEXO EDHE:

Zyrtare: Kurti demantohet për deklaratën se do udhëtojë në nëntor për në SHBA