Në mesin e viktimave në Zelandë të Re edhe një fëmijë 3-vjeç

Objektiv i terroristëve ishin muslimanët të cilët nga pjesë të ndryshme të botës kishin ardhur në Zelandë të Re për të filluar një jetë të re

Bota

16/03/2019 22:15

Në mesin e viktimave të sulmit të djeshëm terrorist në Christchurch të Zelandës së Re ka persona të moshave të ndryshme, nga 3 deri në 71 vjeç.

Janë indentifikuar viktimat e para nga sulmi i kryer në dy xhami në Christchurch. Objektiv i terroristëve ishin muslimanët të cilët nga pjesë të ndryshme të botës kishin ardhur në Zelandë të Re për të filluar një jetë të re.

Në mesin e viktimave është 71-vjeçari Davud Nabi i lindur në Afganistan, por në vitet e 70-ta vendosi të vinte në Zelandë të Re.

Djali i tij Yama El Nabi deklaroi sot para ndërtesës së Gjykatës në Christchurch se babai i tij u përpoq të shpëtojë të tjerët. Pra, ai vdiq në xhaminë Nur, kur u përpoq të mbronte besimtarët e tjerë me trupin e tij.

Yama tha se pasi dëgjoi rreth sulmit në xhami ai vrapoi atje dhe pastaj një person i tha se babai i tij ia kishte shpëtuar jetën.

Në mesin e 49 viktimave është dhe 3-vjeçari Mucad Ibrahim me origjinë nga Somalia, , raporton Anadolu Agency.

Vëllai i tij Abdi Ibrahim tha se në kohën e sulmit ai ishte me të dhe me të atin. Megjithatë, gjatë sulmit ai ishte zhdukur. Siç tha ai, që nga ajo kohë nuk kanë dëgjuar për të. Emri i tij nuk ishte në listën e personave të plagosur dhe të hospitalizuar. Më vonë kuptuan se ai kishte vdekur.

“Kjo për ne është një situatë shumë e vështirë. Të gjithë thërrasin dhe pyesin se çfarë ka ndodhur. E kemi të vështirë të përballemi me realitetin. Mucad pëlqente të luajë, ai ishte një djalë plot jetë. Ai ishte një djalë gjithmonë me fytyrë të qeshur”, tha Abdi.

Adnan Ibrahim Diriye u plagos ndërsa në xhami ishte pranë babait dhe nipit të tij. Ai arriti të shpëtojë me katër të afërm, por Abdullahu 4-vjeç humbi jetën.

Në sulmin terrorist u vra dhe Sejid Milne, 14 vjeç. Poashtu u vranë Naim Rashid dhe djali i tij 21 vjeç, Talha. Këta janë emigrantë nga Pakistani. Ata u vranë në xhaminë Nur.

Rashid punonte si mësues. Ai u vra në përpjekje për t’i rrëmbyer armën sulmuesit.

Policia e Zelandës së Re ka konfirmuar se në dy sulmet e armatosura ndaj xhamive të premten në Christchurch u vranë 49 persona ndërsa më shumë se 20 u plagosën.