Në mbrojtje të votës
LDK u ka bërë thirrje qytetarëve për dalje masive në votime më 3 nëntor, në mënyrë që ata të vendosin vetë për fatin e tyre. Zëdhënësja e Shtabit Zgjedhor, Vjosa Osmani, thotë se LDK do ta mbrojë votën me çdo kusht.
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës është më e përkushtuar dhe më e përgatitur se kurrë që vota e qytetarëve të mbrohet me çdo kusht.
Kështu deklaroi, në një konferencë shtypi, zëdhënësja e Shtabit Zgjedhor të LDK’së, Vjosa Osmani.
“Ne besojmë fort se e vetmja mënyrë për të sjellë ndryshim pozitiv në Kosovë është duke e shfrytëzuar fuqinë e votës demokratike”.
“Jemi të përkushtuar dhe të përgatitur që vota e qytetarëve të mbrohet me çdo kusht. Ne po punojmë aktivisht me vëzhguesit dhe komisionarët tanë që kjo të realizohet. Përveç kësaj, edhe monitorues vendorë dhe ndërkombëtarë do të ndihmojnë në ditën e zgjedhjeve që procesi të zhvillohet i rregullt, që të jetë transparent dhe demokratik”.
Zëdhënësja Osmani tha se kandidatët e LDK’së kanë paraqitur projekte konkrete në secilën komunë. Sipas saj, projektet e tyre do të jenë me ndikim direkt në mirëqenien e qytetarëve, në zhvillimin ekonomik të komunave, në sektorë të ndryshme, siç janë: shëndetësia, arsimi, infrastruktura etj.
“Ne jemi shumë të kënaqur më vlerësimin që qytetarët po ua bëjnë këtyre projekteve dhe u jemi shumë falënderues për përkrahjen e dhënë deri tash për kandidatët tanë”.
“Entuziazmi i qytetarëve nëpër këto tubime është motivim për kandidatët që ata të punojnë pareshtur që LDK’ja, dhe nëpërmjet LDK’së, të gjithë qytetarët, të dalin fitimtarë në zgjedhjet e 3 nëntorit”.
“Secila votë e secilit qytetar e ka fuqinë të jetë përcaktuese e fatit të komunave dhe të tërë Kosovës. Prandaj, ne u bëjmë thirrje qytetarëve për dalje masive në votime më 3 nëntor, në mënyrë që ata të vendosin vetë për fatin e tyre”.
“Kryetari i LDK’së dhe strukturat drejtuese të saj do të vijojnë punën dhe kontaktet me qyterët anekënd Kosovës edhe në ditën në vijim, për të shpalosur programin e LDK-së për qeverisjen e lokale katër vjeçare”.
“Fushata e LDK’së, si edhe deri më tani, do të reflektojë qytetari dhe pozitivitet për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
“Ne ju bëjmë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen fushatës sonë dhe punës që po bëjmë, me qëllim që edhe në ditën e zgjedhje të jemi së bashku, për të garantuar fitoren e LDK’së”.