Në LDK përplasje për ‘kapjen’ e partisë

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka thënë se LDK-ja nuk është e kapur dhe as nuk ka nevojë që të shpëtohet nga askush. Sipas tij, LDK-ja është partia me demokratike në vend dhe se vendimet e rëndësishme i merr bashkërisht pa asnjë presion.

Lajme

03/02/2015 10:59

Ky reagim i nënkryetarit Rugova, ka ardhur pas deklaratave të anëtares së Kryesisë së LDK-së, Vjosa Osmani, e cila një ditë më parë ka thënë se LDK-ja duhet të shpëtohet nga kapja. Dhe këtë shpëtim partisë së saj, ajo ka thënë se mund t’ia sigurojnë vetëm delegatët e LDK-së. 

“Absolutisht LDK nuk është e kapur e as e shantazhuar nga askush. Kryesia e LDK-së, vepron dhe ajo (Vjosa) e di fare mirë që Kryesia ka marrë vendime bashkërisht për të hyrë në koalicion qeverisë”, ka thënë Rugova për Gazetën Tribuna. 

Sipas tij, asnjë vendim në këtë parti nuk i është imponuar askujt. 

“Vendimet janë marrë në mënyrën me demokratike, dhe këto vendime janë marrë në Kryesi dhe në Këshillin e Përgjithshëm dhe ajo ka qenë pjesë e atyre vendimeve”, ka thënë Rugova. 

Ai ka theksuar se kjo parti është duke u përgatitur për zgjedhjet e brendshme dhe rezultati i tyre sipas tij, do të flas me së miri. 

Disa deputetë të LDK-së, vazhdojnë të shprehen të pakënaqur me vendimin e Këshillit të Përgjithshëm për hyrje në koalicion qeverisës me partin e Hashim Thaçit, PDK. Madje deputetët, Vjosa Osmani, Armend Zemaj, Arben Gashi, Adem Salihaj, Alma Lama dhe Anton Çuni kanë votuar kundër Isa Mustafës për kryeministër.