Në kujtim të Lavdisë së Jasharajve

Fatmir Sejdiu sjell rrëfimin e vet për ditët e rënda të Kosovës, të marsit të vitit 1998. Për fillimin e atij viti me një sulm ndaj Jasharajve dhe për marsin e sakrificës dhe lavdisë së Jasharëve.

Opinion

05/03/2014 22:55

Pjesë nga rrëfimi im për ngjarjet e Janarit dhe të Marsit 1998

Viti ’97 ishte përmbyllur me shumë zhvillime të rënda për Kosovën. Sulmet serbe, sado që dukeshin të shkapërderdhura, ato zhvilloheshin në një sistem të pashkëputshëm. Terrori shtohej. Krahas kësaj, zhvilloheshin cikle të reja të rezistencës. Janari nisi po kështu me tensione të mëdha. Kudo ndjehej erë e luftës.

Natën mes 24 dhe 25 Janarit, sa isha kthyer nga Shala e Bajgorës, e pa bërë shumë gjumë, në orët e hershme të mëngjesit mora thirrjen telefonike prej Hysen Gecit nga Llausha. Prekazi ishte sulmuar. Jasharajt ishin në luftë. Si në komunikimet e nevojshme bashkëpunuese, menjëherë lajmërova përfaqësuesit e Misionit Amerikan në Prishtinë dhe në të njejtën kohë ata të Misionit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, duke i lutur që të njoftojnë edhe misionet tjera diplomatike dhe adresat e tjera të nevojshme.

Diku para orës 6 të mëngjesit isha në oborrin e Shoqatës së Shkrimtarëve, ku ndodhej selia e LDK-së. Atë kohë mbërriti edhe profesor Agani, znjsh.Edita Tahiri dhe i ndjeri Enver Maloku. Menjëherë mësymë Prekazin. Nuk dinim se a kishte pushuar sulmi. A kishte viktima, cili ishte epilogu. Nuk e dinim se a do të mbërrijmë.

Për një orë e pak ishim në Prekaz. Forcat serbe ishin larguar. Sulmi i tyre kishte qenë i ashpër. Rezistenca edhe më e fortë. Në oborr me automatik në dorë dhe fare të qetë dhe në lëvizje të përhershme takuam Kryeheroin. Shpesh ndizte cigaren dhe mbante kujdesin maksimal në pritje të sulmit eventual të ri. Rrëfimi i tij ishte i qetë. Fjala e tij ishte bindëse. Dukej sikur forca e tij ishte shtuar. Motrat ishin të plagosura. Nëna stoike sillej rreth tyre dhe mbante duart në brez si burrneshë legjendash. Çdokund vëreheshin breshëritë e gjithë mekanizmave ushtarakë. Gëzhoja fishekësh dhe mortajash e edhe minahedhësish të zbrazur. Plaku Shaban na ftoi brenda në kullë. Unë me Enver Malokun dhe shumë nga miqtë e mi të Skenderajt vazhduam të qëndrojmë në oborr dhe përreth. Profesor Agani hyri në kullë për disa minuta. Më përvojën e tij kishte përcjellë mesazhet e nevojshme të mbështetjes.

Dita tjetër

Në Prishtinë dhe gjithkund në Kosovë gjithnjë e më shumë shtohej pezmi dhe reagimi qytetar për terrorin serb. U organizuan disa demonstrata. 2 Marsi është ditë e veçantë. Në rrugën qendrore nga Radio Prishtina deri përtej udhëkryqit te Fakultetit Filologjik u tubuan përmbi 200 mijë vetë. Me moton – Stop dhunës, terrorit dhe gjenocidit serb. Përballë nesh forca të mëdha policore. Topa me ujë dhe gjithë arsenali tjetër. Në kolonë isha me të ndjerin Latif Berishën dhe në ndërkohë u shkëputa dhe eca në ballë të saj. Aty isha bashkë me Veton Surroin dhe profesor Zekeria Canën.

Vendosëm që të mos lëkundemi vendi. Kërkonim edhe nga masa që të ulej dhe të ishte e qetë. Megjithatë tensionet ishin të mëdha. Ne të tre u nisëm në drejtim të kordonit policor për të kërkuar që të na hapet rruga dhe të mos pengohet demonstrata. Ashtu sic e pritnim, qëndrimi ishte refuzues.

U kthyem dhe u ulëm sërish për t’u përballur me vrushkujt e fuqishëm nga topat e ujit. Pas një kohe kolona e rreshtuar e policëve mësyu drejt nesh. Goditjen e parë, ashtu siç isha i ulur e mora mu nga oficeri që komandonte policinë serbe. Dhe vazhduan egërsisht të tjerët. Nuk vëreja se më është thyer dora e djathtë. Kishte pasë shumë të rrahur dhe të maltretuar.

Kjo ishte tepër pak çfarë u bë në kundërshtim të sulmit ndaj Jasharajve dhe vrasjes të shumë djemve të Kosovës. Para sysh më vinte edhe trupi i Ismet Gjocit të masakruar dhe me mollëza sysh të gropuara, shkrumbi i mbetur i Xhafer Ajvazit, trupi i nxirë i Besnik Restelicës…

Nata e tretë

Agu i mëngjesit të 5 Marsit 1998. Marr informacionin e parë nga znj.Selime Nura. Prekazi ishte sulmuar sërish. Bëra të gjitha përpjekjet që të informoj qendrat e rëndësishme ndërkombëtare mbështetëse të Kosovës. Përshtypja ime ishte se edhe ato kishin pritur sulmin e tillë. Luftimet kishin qenë të ashpra.

Njësitë serbe kishin bërë të veten. Familja Jashari e gjitha në rezistencë. Nga rrethi familjar ishin vrarë shumica. Edhe fëmijtë.

Prapë ia mësymë Prekazit dhe në këtë rast me të ndjerin Abdyl Ramajn, Zekeria Canën, Basri Musmuratin, Rexhep Gjergjin, ndërsa atje gjetëm njerëz të tjerë nga Skenderaj dhe rrethina.

Nga kulla dhe shtëpitë e granatuara shihej që rezistenca kishte qenë e madhe. Heroike si e legjendave. Përjetë nuk mund të harrohen ato pamje të asaj dite.

Duhej bërë të pamundurën që varrimi të jetë i dinjitetshëm, sikur edhe jeta e tyre. Trysnia serbe bëhej për të fshehë gjurmët. Ajo sa vinte e shtohej. Kërkuam nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar që të jetë një lloj “intermediatori” që të mos pengohet varrimi i tyre. Përgjegjja e tyre ishte e hezitueshme. Megjithatë erdhi. Në Gjakovë Aqif Shehu dhe Mevlude Saraqi kishin përgatitur arkivolet për të gjithë. Ia mësymë për t’i marrë unë, Edi Shukriu dhe Ramë Buja. I sollëm nga Gjakova në rrugën me plot rreziqe dhe në përcjellje të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Na lanë në rrugë pak përtej Drenasit. Ia mësymë me rrezikun tonë. Ia dolëm. Presioni për varrim shtohej. Ishte një mbrëmje e vështirë mes datës 8 dhe 9 Mars. Zekeria Cana në rolin e vet. Mulla Osmani i guximshëm dhe i dinjitetshëm.

Kthimi në Prishtinë

Fotoreporteri Ilaz Bylykbashi kishte bërë fotografi të shumta. Filmat e aparatit i nxora unë dhe Edi Shukriu. Pamje rrënqethëse. Bota duhej të njoftohej. Organizuam konferencë shtypi së bashku me Enver Malokun, Xhemajl Mustafën, Rexhep Gjergjin, Edi Shukriun dhe Ilaz Bylykbashin. Lufta kishte filluar. Jasharajt e nisën dhe mbetën shembulli më i veçantë i rezistencës. Veprat e Kryetrimit s’kishin si të ndodhnin ndryshe përpos se në fushë të betejës.

 

Takimi me Klaus Kinkel dhe Hubert Vedrine

Në dy ditët në vijim Presidenti Rugova na cakton profesor Aganin dhe mua që të shkojmë në Beograd dhe të takohemi me Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe të Francës, zotërinjtë Klaus Kinkel dhe Hubert Vedrine. Takimi u mbajt në Qendrën Sava. Të ftuar ishin edhe z.Albin Kurti dhe Bujar Dugolli nga Unioni i Studentëve.

I informuam për zhvillimet dhe posaçërisht për sulmin ndaj Jasharajve. Me vete pata marrë, me gjithë rrezikun, 65 fotografi të fëmijëve, grave dhe burrave të vrarë, të djegur dhe të masakruar të Jasharajve. Kinkelit iu mbushën sytë me lotë. Keq u ndie edhe Vedrine dhe me sy lutës më kërkuan që t’ua lë fotografitë. Natyrisht se ishin për ta.

Në dalje nga takimi shumë gazetarë nga agjensi të ndryshme të botës. Kurreshtje e madhe. Reporterja Memona Hiterman e Antene 2 – televizion francez me reputacion, meqë kisha biseduar me të para se të hynim në takim me ministrat e jashtëm, gati sa nuk më shkuli dorën që t’u drejtohem gjithë kurreshtarëve. Dhe atë e bëra në frengjishte. Kësaj radhe nuk kishte kohë që ta marr ndihmën e Hilmiut (Zogjanit) i cili ishte me ne. E thashë atë që duhej thënë. Fola për gjenocidin, për reprezaljet, për terrorin. Fola për Lirinë e nevojshme për Kosovën dhe njerëzit e saj. Për Lirinë për të cilën u flijuan Jasharajt.