Në Kosovë lindin rreth 27 mijë foshnje në vit
Populli shqiptar, e sidomos ai i Kosovës, është njohur qysh moti për natalitet të lartë. Kosovarët jorrallëherë janë stereotipizuar si njerëz me shumë fëmijë përreth, rrjedhimisht, me familje shumë-anëtarëshe. Në lidhje me këto imazhe, shifrat ende tregojnë se nuk kanë pësuar ndryshim edhe aq të madh.

Lajme
Disa e lidhin shtimin e një populli në banorë me dashurinë, disa të tjerë me fatin dhe caktimin e Perëndisë, e disa të tjerë me të gjitha bashkë. Por, se populli jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë i frytshëm në dashuri, tregojnë vet shifrat e natalitetit. Shifra të cilat kanë dalë të jenë më të larta se ato të vdekjes.
“Në Kosovë lindin mesatarisht 27600 foshnje, ndërsa vdesin mesatarisht 7200 persona në vit”, ka bërë të ditur Hazbije Qeriqi nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës për lajmi.net.
Kësaj shifre të natalitetit, i shtohet doza edhe më shumë e lumturisë kur kuptojmë se jetëgjatësia është në nivel ndoshta më të lartin në rajon në Kosovë.
“Mosha mesatare e jetëgjatësisë tek ne është 76.7 vjeç”, bëjnë të ditur shifrat nga ASK, kurse vendi shënon lindjen më të lartë të meshkujve sesa femrave.
Por, edhe pse femra më pak, rëndësi ka kush jeton më gjatë.
Burimet e njëjta të statistikave na kanë treguar se femrat kosovare jetojnë më shumë se meshkujt. “Femrat jetojnë më gjatë me moshë mesatare deri në 79.4 vjet; ndërsa meshkujt mesatarisht jetojnë 74.1 vjet”, tha Qeriqi. (lajmi.net)