Në Kosovë janë të regjistruara 282 mijë mjete motorike e jo motorike

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit për tremujorin e tretë të vitit 2014.

Lajme

03/11/2014 17:40

Sipas ASK-së, në vitin 2014 në Kosovë janë regjistruar 282 mijë mjete motorike dhe jo motorike, ose 16.76% më shumë se në vitin 2013.

Sipas të dhënave të prezantuara nga viti 2013, në territorin e Kosovës kemi 2,003 km rrugë, prej tyre 4% janë autostrada, 31% rrugë nacionale, ndërsa 65% janë rrugë rajonale.

Në vitin 2013, nga gjithsej 2,003 km rrugë, 1,885.5 km ose 94% janë rrugë të asfaltuara, ndërsa 120.1 km ose 6% janë të paasfaltuara, thuhet në raportin e ASK-së.

Në territorin e Kosovës, sipas ASK-së, kemi gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport dhe 110 privatë, ndërkaq në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë 8 lokomotiva dizel që bartin 27 vagonë, 9 të udhëtarëve dhe 18 për mallra.

Në periudhën korrik-shtator 2014, numri i udhëtarëve që e kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 75 mijë. Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i udhëtarëve është ulur për 23.75%. për dallim nga udhëtarët, është rritur qarkullimi i mallrave me hekurudhë, madje ai është shtuar për 85.85%.

Në tremujorin e tretë të këtij viti, ka pasur m,ë pak fluturime për 18.41% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013. Numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti është rreth 472,000, ose 15.63 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2013.