Në Kosovë dalje e lartë e në Serbi e ulët për zgjedhjet parlamentare

Në Serbi dhe në pjesën veriore të Kosovës qendrat e votimit janë hapur qysh në ora 07:00 e mëngjesit.

Lajme

21/06/2020 17:43

Në Serbi janë duke u mbajtur zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore, ku edhe serbët e Kosovës në komunat veriore janë duke votuar për zgjedhjet parlamentare dhe ky proces po vështrohet nga misioni i OSBE-së në Kosovë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Serbi, ka bërë të ditur se deri në ora 16:00 dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte shumë e ulët, shkruan lajmi.net.

Sipas të dhënave zyrtare në zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Serbi, vetëm në qytetin e Kraljevës deri në ora 16:00 kanë votuar 32.89 për qind nga 100 mijë e 487 persona sa janë me të drejt vote.

Siç raportojnë mediet serbe, në këtë qytet nuk ka pasur parregullsi të mëdha ose përçarje gjatë procesit të votimit në gjithsej 130 vendvotime të shpërndara në një territor shumë të fragmentuar.

Në anën tjetër, sipas të dhënave që ka publikuar selia zgjedhore e SNS-së, deri në orën 16:00, në tërë territorin e Serbisë, përfshirë edhe vendvotimet në pjesën veriore të Kosovës, kanë votuar gjithsej 35.2 për qind e votuesve për zgjedhjet parlamentare, transmeton më tutje lajmi.net.

Portali serb në Kosovë “Kosovo Online”, shkruan se në 140 vendvotime sa janë gjithsej në komunat veriore, pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë shumë e lartë.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, gjatë vizitës së tij në veri të Mitrovicës, ka deklaruar se pjesëmarrja e qytetarëve për zgjedhjet parlamentare të Serbisë ka qenë shumë e lartë. Ai ka thënë se deri në orën 14:00 kanë votuar mesatarisht mbi 30 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas Braathu, në disa vendvotime si në qytetin e Mitrovicës, deri në ora 14:00 pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë mbi 40 për qind kurse në në Leposaviq, 55 për qind.

Shefi i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ka thënë se ky proces është duke u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë tension.

“Përshtypja ime është se gjërat janë të duke shkuar në mënyrë të qetë de se gjithçka është duke shkuar ashtu siç e kemi pritur. Jam i lumtur që po shoh se janë duke u respektuar të gjitha masat mbrojtëse kundër përhapjes së koronavirusit dhe të gjithë janë duke punuar ashtu siç kemi kërkuar dhe kemi pritur. Është shumë mirë që qytetarët janë duke ardhur me maska për të votuar. Ne kemi maska ​​për të gjithë ata që vijnë për të votuar. Është e rëndësishme të mbani distancë sociale prej një deri në dy metra. Ndonjëherë është pjesa më e vështirë, por mendoj se po shkon mirë”, deklaroi Braathu gjatë vizitës së tij në një qendër votimi në pjesën veriore të Mitrovicës. /Lajmi.net/

Lexo edhe: 

Mbajtja e zgjedhjet të Serbisë në Kosovë bie ndesh me Kushtetutën e vendit