“Në Kosovë bëmë gjënë e duhur”: Dita kur NATO-ja pushoi bombardimet
“Sonte, për herë të parë në 79 ditë, qiejt mbi Jugosllavi janë të heshtur”, tha presidenti amerikan, Bill Clinton, më 10 qershor të vitit 1999. Atë natë, NATO-ja ndërpreu bombardimet kundër caqeve ushtarake serbe në ish-Jugosllavi. Fushata e sulmeve, që zgjati 11 javë, u ndërmor për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në…

Lajme
“Sonte, për herë të parë në 79 ditë, qiejt mbi Jugosllavi janë të heshtur”, tha presidenti amerikan, Bill Clinton, më 10 qershor të vitit 1999.
Atë natë, NATO-ja ndërpreu bombardimet kundër caqeve ushtarake serbe në ish-Jugosllavi.
Fushata e sulmeve, që zgjati 11 javë, u ndërmor për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.
“Kërkesat e një komuniteti ndërkombëtar – të indinjuar dhe të bashkuar – janë përmbushur”, tha Clinton, duke sqaruar se ato përfshinin: tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e një force të sigurisë të udhëhequr nga NATO-ja dhe kthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre.
“Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore – për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”, tha Clinton 25 vjet më parë.
Pse ndërhyri NATO-ja?
NATO-ja autorizoi sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake serbe më 24 mars, 1999.
Clinton tha atëkohë se “forca është e nevojshme për të ndalur agresionin e serbëve kundër shqiptarëve në Kosovë”.
“Nëse presidenti [jugosllav Sllobodan] Millosheviq nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm t’i kufizojmë aftësitë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve”, tha Clinton.
Përpjekjet disamuajshe të të dërguarit të Clintonit, Richard Holbrooke, për ta bindur Millosheviqin që të pajtohej për arëmpushim në Kosovë, dështuan.
Dhe, sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, autorizoi sulmet ajrore.
“Ne duhet ta ndalojmë një regjim autoritar që shtyp popullin e tij në Evropë, në fund të shekullit 20”, tha Solana.
“E kemi detyrë morale ta bëjmë këtë. Përgjegjësia është mbi supet tona dhe ne do ta përmbushim atë”, tha ai.