Në Komunë të zihet fryma!

Radhët e gjata në korridoret e Komunës së Prishtinës të kujtojnë kohën ajo udhëhiqej nga Isa Mustafa. Atëbotë, kandidati për Prishtinë, sot i pari i saj, Shpend Ahmeti pati premtuar se administrata në Komunë do të bëhet më efikase, dhe se do të punohet edhe me orar më të gjatë, deri në orën 19:00, të mos ketë radhë. Por edhe pas pesë muajsh të qeverisjes së re, në Komunë të zihet fryma prej radhëve. 

Lajme

19/05/2014 17:47

Qytetarët ankoheshin sot (e hënë) se punëtorët nëpër sportele vetëm po i endin sa andej e këndej, duke mos ju dhënë informata të sakta se në cilin sportel duhet të shkojnë dhe cilat dokumente ju duhen.

E për shkak të tentimit për të hyrë pa rend në radhë, duhej të ndërhynte edhe sigurimi i Komunës, që situata të kthehej në normalitet.

Radhët më të gjata shiheshin afër sportelit ku lëshohen ekstraktet e lindjes, edhe pse për këtë procedurë prej javës së kaluar mund të aplikohet ‘online’, dhe pastaj ekstrakti të vjen në adresën e banimit përmes postës.

Një nënë nga Prishtina, e cila kishte ardhur herët në mëngjesin e së hënës në Komunë për të kryer punë më shpejt, mbeti deri në orën 14:00 duke pritur në korridoret e Komunës.

“Kam ardhur në Komunë prej orës 7:00 dhe tash edhe pak bëhet ora 14:00, e unë akoma nuk kam kryer punë. Kam ardhur ta regjistrojë fëmijën. Mendova se kjo punë do të kryhej shpejt, po shikoje orën”, tha kjo qytetare për lajmi.net.

Teksa një qytetare tjetër po priste pranë sporteleve për të nxjerr ekstraktin e lindjes, e mllefosur pasi kishte pritur plotë katër orë tha: “Kjo është kjo transparenca e Shpendit. Pati premtuar se do të përshpejtohen punët në Komunë. Po, e shihni edhe vet, asgjë nuk ka ndryshuar nga e kaluara”.

Ndërsa Mërgim Limani, i cili kishte ardhur në Komunë për të kryer procedurat për të regjistruar një parcelë tokës në emrin e vet, tha se problemi kryesor që këto radhë janë krijuar është se punëtorët e administratës nuk po i udhëzojnë qytetarët se ku duhet të shkojnë.

“Kam ardhur prej orës 8:00. Dy orë më është dashur të pres në sportelin numër 7. Zyrtarët e Komunës po thonë se nuk ka rend, por unë e ftoj kryetari Ahmeti të zres prej zyrës së tij dhe të shikojë se a ka apo jo radhë. Kam ardhur për të rregulluar dokumentacionin për një tokë. Për një certifikatë që nuk ishte në rregull mu desh të pres dy orë. Tash prej orës 10:00 po pres që t’i dorëzoj këto dokumente”.

“Këta (punëtorët e administratës) nuk dinë as të të tregojnë se ku të shkosh. Njëherë më thanë shko në sportelin 7, mandej në 5, e mbasi kam prit gjysmë ore aty, ai punëtori më thotë jo këtu nuk duhet po shko në sportelin 7”, tha Limani për lajmi.net, me shpresë se pas një dite të lodhshme do të mundet të paktën të dorëzojë dokumentacionin.

Radhë të gjata në Komunë, të hënën, vëreheshin edhe tek sportelet ku merret gjendja e tatimit, përpara sporteleve të bankës ku paguhet tatimi dhe tek sportelet ku bëhet nxjerrja e vërtetimit se je tatimpagues i rregullt.

Edhe lajmi.net ka pritur të hënën katër orë zëdhënësin e Komunës, Adonis Tahiri, që të hap telefonin e tij mobil, për të marrë ndonjë përgjigje për temën në fjalë, por kontakti me të ka qenë i pamundur.