Në kërkim të vajzave të rrëmbyera

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë në funksion edhe aeroplanë pa pilotë në kërkim të mbi 200 nxënëseve të rrëmbyera më 14 prill nga organizata Boko Haram, në një shkollë në Nigeri. 

Bota

13/05/2014 18:08

Pas publikimit të videos nga Boko Haram, një ditë më parë, ku thuhet se vajzat e rrëmbyera janë konvertuar në Islam dhe shihen të mbuluara dhe duke u lutur për Allahun, të martën është njoftuar se Shtetet e Bashkuara, me lejen e Nigerisë, kanë marrë përsipër udhëheqjen e kërkimeve me autorizim të autoriteteve nigeriane.  

“Aktualisht po marrim pamje satelitore. Në terren janë edhe aeroplanët pa pilot. Ne po ndajmë imazhet e marra me autoritetet nigeriane dhe do të bëjmë gjithçka është e mundur për të gjetur vajzat e rrëmbyera”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës së presidentit amerikan, Barack Obama, i cili ka folur për Reuters me kusht anonimiteti.

BBC po ashtu raporton se një ekip prej rreth 30 ekspertësh amerikanë, anëtarë të FBI-së dhe të sektorëve tjerë të mbrojtjes shtetërore tashmë janë në Nigeri për të ndihmuar në kërkimin e vajzave të rrëmbyera.

Sipas BBC-së, në Uashington nuk janë bërë të ditura llojet e avionëve të dërguar në qiellin nigerian, përveç se është thënë që SHBA ka dërguar aeroplanë të sofistikuar që mund të dëgjojnë në një gamë të gjerë të bisedave telefonike.

Ndërkohë, qeveria nigeriane ka bërë të ditur të martën se është \’gati\’ për bisedime me militantët islamik të Boko Haram, me qëllim të arritjes së një marrëveshje për lirimin e vajzave të rrëmbyera.

Tanimu Turaki, një zyrtarë i lartë i qeverisë nigeriane, ka thënë se lideri i organizatës Boko Haram, Abubakar Shekau, nëse ka qenë i sinqertë një ditë më parë, atëherë duhet t’i dërgojë njerëzit e tij për të biseduar për kushtet e lirimit të vajzave dhe mundësisht edhe për formimin e një Komitetit të Përhershëm të Pajtimit.