Në kërkim të jashtëtokësorëve/ Në New Mexico, nis projekti gjigant

Për herë të parë, astronomët do të kërkojnë në qiell për shenja të jetës jashtëtokësore, duke përdorur 28 teleskopë gjigantë në atë që po shihet si “ gjueti e paprecedentë” për civilizimet e huaja.

Bota

15/02/2020 15:15

Projekti është një bashkëpunim mes Institutit Seti, me financim privat dhe Observatorit Very Large Array, VLA në New Mexico, një prej objekteve më të fuqishme të vëzhgimit në botë. Grumbullimi në kohë reale i të gjitha të dhënave të VLA-së konsiderohet një zhvillim tejet i rëndësishëm për shkencëtarët që janë vënë në gjurmët e formave jashtëtokësore të jetës. “VLA-ja do të përdoret për një studim të hollësishëm të qiellit, dhe kjo na ndihmon shumë”, tha Andrew Siemion, drejtor i qendrës Berkeley Seti.

“Përcaktimi nëse jemi të vetëm në univers, është një nga pyetjet më të mëdha të shkencës, dhe teleskopët mund të luajnë një rol kyç në gjetjen e përgjigjes”, shton ai. Faza e parë e projektit, instalimi i kabllove të reja, është financuar nga John Giannandrea, drejtues i lartë ekzekutiv i Apple dhe anëtar bordi i Institutit Seti. Përparimet e teknologjisë i afrojnë shkencëtarët edhe më shumë se zbardhjen e dilemës së hershme të njerëzimit. Por gjeniu i fizikës, Stephen Hawking pat paralajmëruar dikur se duhet bërë shumë kujdes me përpjekjet për të kontaktuar jashtëtokësorët, pasi sipas tij, rezultati për njerëzit, nuk do të ishte domosdoshmërisht i mirë.