Ne kemi identitet
Isa Mustafa thotë se LDK është parti me identitet që ruan dhe kultivon vlerat e familjes, fesë e punës, që burojnë nga vepra e Presidentit Ibrahim Rugova dhe nuk ka asgjë të përbashkët, as me PDK’në e as me AAK’në.
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, u tha të enjten banorëve të fshatit Strellc të Epërm të Deçanit se LDK’ja është parti me identitet që ruan dhe kultivon vlerat e familjes, fesë e punës, që burojnë nga vepra e Presidentit Ibrahim Rugova dhe nuk ka asgjë të përbashkët, as me PDK’në e as me AAK’në.
“Sot rivalët tanë i ka kapur halli nga rikthimi i besimit në Lidhjen Demokratike. Por, ne u themi qytetarëve të Kosovës se LDK nuk ka asgjë të përbashkët me PDK’në, nuk ka asgjë të përbashkët me AAK’në”.
“Ne jemi një subjekt politik, që kemi ndërtuar identitetin tonë para 24 vjetësh. Identiteti ynë buron nga vepra e Presidentit Rugova dhe filozofia politike që e kemi autentike”.
“Në asnjë parti, qytetarët nuk e kanë sikur në LDK, prandaj nuk do të mund t’u mashtrojnë duke ju thënë se e keni sikur në LDK. Në LDK, qytetarët e Kosovës i kanë vlerat e familjes, fesë e punës, e jo veprat e këqija, siç kemi shembuj në tjerat parti”, tha kryetari Mustafa.
Kryetari Mustafa tha se është i bindur për fitoren e LDK’së në Deçan dhe në shumicën e komunave të Kosovës.
“Jemi të interesuar të organizohemi bashkërisht që të fitojmë edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Jemi të sigurt se do të fitojmë dhe do ta krijojmë qeverinë, me kryeministër nga LDK-ja. Koha që kemi pasur shumicën dhe ua kemi dhuruar postin e kryeministrit të tjerëve ka kaluar”, tha Mustafa.
“U drejtohem me lutjen dhe kërkesën që ta përkrahim Blerim Bajraktarajn, sepse kështu e përkrahim Deçanin, të ardhmen e qytetarëve të kësaj komune”, tha Mustafa.
Ndërsa, kandidati i LDK’së për kryetar të Komunës së Deçanit, Blerim Bajraktaraj, tha se banorët e Strellcit dhe të fshatrave tjera të Deçanit e Dukagjinit kanë qenë “mburojë e fuqishme e grupeve të errëta që synonin për ta gllabëruar demokracinë dhe lirinë e fituar me mund e gjak, që synonin asgjësimin e vlerave të luftës, të prirë nga koloneli Tahir Zemaj”.
Ai ftoi banorët e Strellcit dhe të fshatrave të tjera të Deçanit ta votojnë LDK’në, e cila u mundëson ndarjen nga stagnimi e keqqeverisja dhe i hap rrugë zhvillimit të komunës së Deçanit.
“Deçani po keqqeveriset nga një gardë, po mbetet peng i grupeve të interesave parapolitike, po menaxhohet keq buxheti i qytetarëve. LDK-ja dhe unë vijmë me një program dhe shkollë qeverisëse për ta shkëputur Deçanin nga kjo gjendje dhe për t’i hapur rrugën e zhvillimit dhe prosperimit ekonomik”, tha Bajraktaraj.