Në Iran shpërthejnë protestat shkaku i shtrenjtimit të benzinës për 50 për qind

14:45 | 16 Nentor 2019

Disa protesta kanë shpërthyer në tërë territorin e Iranit pasi qeveria njoftoi papritmas se çmimi i benzinës do të rritet për 50 për qind. Autoritetet thanë se këto para do të përdoren për t’i ndihmuar njerëzit e varfër.

Irani tashmë po përballet me krizë ekonomike shkaku i sanksioneve të ashpra të Shteteve të Bashkuara pas largimit të tyre nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Një person u vra gjatë protestave në qytetin qendror, Sirjan. Agjencia shtetërore e lajmeve njoftoi se policia u përlesh me protestuesit kur ata e sulmuan një depo me karburante dhe u përpoqën t’ia vënë flakën.

Protesta pati edhe në qytete të tjera, si në kryeqytetin Tehran, pastaj në Kermanshah, Isfahan, Tabriz, Shiraz, Sari dhe Yazd. Në disa qytete, shoferët e zemëruar i bllokuan rrugët duke i fikur motorët e veturave dhe duke i lënë ato në rrugë.

Sipas masave të reja, secili vozitës ka të drejtë t’i blejë deri 60 litra benzinë në muaj me çmim të rregullt, ndërsa secili litër shtesë do t’i shitet me çmim 50 për qind më të shtrenjtë. Më parë, vozitësit kishin të drejtë t’i blinin deri 250 litra në muaj me çmim të rregullt.

Qeveria tha se mjetet shtesë do të jepen për familjet e varfra. Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, tha sot se 75 për qind e iranianëve janë nën presion dhe se të hollat që merren nga rritja e çmimit të benzinës do të shkojnë te ta, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.