Në Institucionin e Kafesë

Partia e Fortë vijoi fushatën elektorale nëpër kafiteritë e Sheshit. Turi i saj u shoqërua me të reshura shiu që simbolizonin bereqetin, element identifikues i kësaj i Partie.

Lajme

16/10/2013 15:23

Partia e Fortë ka bërë një shëtitje të pazakontë për forcat politike, të mërkurën në Prishtinë.

Kryetari Lexhendar, Visar Arifaj, bashkë me nënkryetarët e bollshëm të partisë, kanë shëtitur disa kafiteri të Kryeqytetit, ku kanë vlerësuar rëndësinë që kafiteritë në përcaktimin e votës së qytetarit, por edhe në vendimmarrje.

Sipas Partisë së Fortë, kafeneja është shtylla kryesore e kulturës vendimmarrëse në Prishtinë dhe Kosovë.

Turneu i Partisë së Fortë nisi me një takim të tipit ‘kafe-llafe’ në kafe-barin ‘MIQT’.

“Në këtë kafiteri u bashkuan edhe nënkryetarë, përfaqësues të mediave dhe anëtarë tjerë të dyshimtë që sipas gojëdhënave mund të janë pjesëtar të SHIK’ut”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Propagandës e forcës më të re politike.

Delegacionit të Partisë, i printe, si gjithnjë, Kryetari i saj Lexhendar, Visar Arifaj, i cili para gazetarëve që kishin nderin të mbulonin aktivitetin e tij, vlerësoi rolin e kafiterive në shoqëri.

‘Kafeteritë janë rrjete sociale, me më pak miq se Facebook’u, por prapë rrjete sociale”.

“Janë pikërisht këto rrjete sociale vendi ku janë formuar shumica e partive të Kosovës, shumica e iniciativave, organizatave dhe kompanive në Kosovë’.

‘Është ky një ambient ku përcaktohet vota e qytetarit, preferenca politike apo personi me të cilin martohemi. Vend ku përcaktohet cila veturë, klub futbollistik apo cili telefon mobil është më i miri.’.

“Gjatë këtyre vizitave është konkluduar që kafeteria është vendi ku përcaktohet preferenca jonë për rrethin shoqëror, për llojin e kafesë e madje edhe për ideologjinë tonë politike e fetare”.

Sipas Lexhendarit të Partisë së Fortë, përmes socializmit në kafene, forcojmë ekonominë lokale, kjo duke rritur shitjen e kafesë, gazetave dhe duke punësuar shumë njerëz.

‘Të nderuar miq, kafeneja është shtylla kryesore e kulturës vendimmarrëse të Prishtinës dhe Kosovës. Dhe ata që janë kundër kulturës së kafenesë, vendimin për të qenë kundër e kanë marrë në ndonjërën nga kafenetë e vendit tonë.’.

Vizita premtuese kafeneve të qytetit u realizua në vazhdën e takimeve elektorale me qëllim përfitimin e votës. Ajo përfshiu takime në kafenetë  ‘Designers’, ‘Rings’, ‘Dit’ e Nat’ si dhe u shoqërua me të reshura shiu që simbolizonin bereqetin, element identifikues i kësaj i Partie.