Në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe degët e saj sot u anuluan 113 seanca

Për shkak të vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) që puna të bëhet vetëm me shërbime esnciale, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe në degët e saj janë shtyrë 113 seanca, ndërsa janë mbajtur 6 nga lista e…

Lajme

29/11/2022 17:23

Për shkak të vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) që puna të bëhet vetëm me shërbime esnciale, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe në degët e saj janë shtyrë 113 seanca, ndërsa janë mbajtur 6 nga lista e shërbimeve esenciale.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Mirlinda Gashi, zyrtare për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Referuar kerkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022, sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe degët e saj janë shtyrë 113 seanca ndërsa janë mbajtur 6 seanca, të përcaktuara në bazë të listës së shërbimeve esenciale nga KGJK”, tha Gashi në një përgjigje me shkrim.

Ndryshe, në mbledhjen e 299-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 24 nëntor, është miratuar lista me shërbimet esenciale me të cilat do të punojnë gjykatat, deri në një vendim të radhës të Këshillit.

Ndryshe, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, në një konferencë për medie më 23 nëntor, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Zogaj tha se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.

Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), mori vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.

Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.

Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.

Ndryshe, në mbledhjen e Qeverisë, më 23 nëntor 2022, Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.

“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese me ligjin e atëhershëm për paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante”, ka thënë Kurti.

Pas miratimit të Projektligjit për Pagat, Kryeministri Kurti, tha se ky projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave.

“Propozimi i sotëm i kushton rëndësi të madhe kualifikimeve. Askush nuk mund të paguhet më shumë sesa pesëfishi u pagës më të ulët në administratën tonë”,  ka thënë Kurti.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. /BetimipërDrejtësi