Në Gjykatën Speciale mund të gjykohen edhe gjeneralët e ushtrisë serbe

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë, përveç ish-pjesëtarëve të UÇK-së, mund t'i trajtojë edhe rastet e ushtarakëve serbë.

Lajme

07/03/2015 10:57

Në një shkrim të së përditshmes serbe “Vecernje Novosti”, thuhet se, përkundër deklaratave të bëra nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi, se në Gjykatën Speciale do të gjykohen vetëm ish-pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), qasja e kësaj gjykate nuk do të jetë në baza etnike, por territoriale.

Për këtë arsye, sipas kësaj të përditshme, në bankën e të akuzuarve mund të gjenden edhe serbët, për të cilët mund të ketë të dhëna se kanë kryer krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-99.

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd, ka thënë se në Gjykatën Speciale, mund të dërgohen prova edhe për ushtarakët serbë, transmeton lajmi.net.

“Para Gjykatës Speciale në Kosovë do të mund të dërgohen prova për gjeneralët e ushtrisë serbe Lubisha Dikoviq dhe Momir Stojanoviq, nëse sistemi serb i drejtësisë nuk do të fillojë që të merret me këto raste paraprakisht”, thotë Janjiq, transmeton lajmi.net.