Në Ferizaj, grumbullohen mbi 200 mijë euro nga mbrëmja humanitare

Në një mbrëmje humanitare të organizuar nga Komuna e Ferizajt dhe Këshilli i Veprimit Lokal të Ferizajt, janë mbledhur mbi 200 mijë euro.

Lajme

17/06/2015 23:07

Hapjen e kësaj gala mbrëmjeje e bëri kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa.

“Ky organizim tregon se preokupimi i të rinjve tanë është mirëqenia e të gjithë qytetarëve dhe se brenga e tyre është gjendja e rënduar e personave dhe e familjeve që ende nuk e kanë një strehë mbi kokë, e cila u plotëson kushtet elementare për jetesë”, ka thënë kryetari Svarqa, njofton Klan Kosova.

Svarqa ka thënë se do ta mbështesë këtë nismë.

“Unë dhe stafi im jemi të përkushtuar që ta trajtojmë në mënyrë institucionale këtë çështje dhe kemi bërë e po bëjmë aq sa mundemi, por çështja e strehimit është me probleme kudo në botë”, tha ai.

Nga bizneset e ndryshme të Ferizajt, por edhe nga organizata të ndryshme jo qeveritare u grumbulluan rreth 200 mijë euro, por edhe gjësende të ndryshme për familjet skamnore.