Në fazën përfundimtare të dialogut për liberalizimin e vizave
Komisioni Evropian ka vlerësuar të arriturat që Kosova ka bërë së fundmi në përmbushjen e obligimeve të procesit të liberalizimit të vizave.
Lajme
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kanë marrë pjesë në dialogun për liberalizim të vizave mes Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Sipas një komunikate për media, në takimin e sotëm Komisioni dha vlerësimet e veta të hershme në bazë të misioneve vlerësuese të ndërmarra më herët gjatë vitit.
Po ashtu, delegacionit të Kosovës iu dha edhe një mundësi që të jepe plotësime me të arriturat e fundit në përmbushjen e të gjitha blloqeve të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, përshirë riintegrimin e personave të riatdhesuar, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e rendit dhe ligjit, krimeve ekonomike, bashkëpunimit ligjor, si dhe të drejtave themelore.
Vlora Çitaku tha se u inkurajuan nga vlerësimet e Komisionit Evropian për të arriturat që Kosova ka bërë së fundmi në përmbushjen e obligimeve të procesit të liberalizimit të vizave. Madje, ajo ka shtuar se ky është vlerësim i përbashkët dhe se janë në fazën përfundimtare të këtij dialogu.
Ndryshe, ky takim është pjesë e takimeve të rregullta në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, ku diskutohen të gjitha çështjet e ndërlidhura me përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.