Në dy republika gjermane, kosovarët trajtohen si shtetas serbë: Peticion kundër këtij trajtimi

Dy republikat gjermane, Bavaria (Bayern) dhe Saksonia (Sachsen), janë të vetmet republika gjermane që, përkundër njohjes së shtetit të Kosovës nga Republika Federale e Gjermanisë, vazhdojnë të konsiderojnë kosovarët si shtetas serbë.

Lajme

23/08/2015 00:13

Kështu, ata që duan ta fitojnë shtetësinë gjermane duhet të dorëzojnë jo vetëm shtetësinë kosovare, por edhe atë serbe, derisa në vendet tjera natyralizimi i kosovarëve nuk paraqitet kaq problematik.

Për të kundërshtuar këtë gjendje, një grup kosovarësh në Bavari, kanë filluar shpërndarjen e një peticioni në të cilin me nënshkrimet e tyre kërkojnë që të mos u vihet si kusht për marrjen e shtetësisë gjermane braktisja e shtetësisë së Serbisë.

Një gjë e tillë kosovarëve u kushton me kohë, para dhe nerva, sepse për ta bërë këtë ata detyrohen së pari të kontaktojnë me konsullatën serbe, e cila pastaj i detyron të sigurojnë dokumente që dëshmojnë se ata e kanë shtetësinë e Serbisë, e për sigurimin e këtyre dokumenteve shpeshherë duhet paguar ndërmjetësues dhe matrapazë të ndryshëm etj.

Peticioni i drejtohet komisionit të Bundestagut Gjerman për Peticione, ku thuhet se “Kosova, nga viti 2008 është e ndarë nga Serbia. Krahas Gjermanisë, pavarësinë e saj e kanë njohur tashmë më shumë se 100 shtete. Ata që dëshirojnë të marrin shtetësinë gjermane detyrohen të përmbushin një sërë parakushtesh. Si hap të fundit për këtë proces ata duhet të braktisin shtetësinë e tyre të deritashme. Kjo gjë vlen për kosovarët ashtu sikurse edhe për nacionalitetet tjera në Gjermani. Mirëpo, vetëm në Bavari dhe në Saksoni vlen qëndrimi se kosovarët në të njëjtën kohë janë edhe shtetas serbë. Pra, përveç shtetësisë kosovare ata paskan edhe atë serbe”!

“Nisur nga kjo, ne ju lusim të angazhoheni që tu jepet fund barrierave të natyralizimit dhe të nxitni një dialog që njëkohësisht mundëson edhe integrimin e plotë të kosovarëve në Gjermani”, thuhet në fund të tekstit të peticionit, raporton Albinfo.ch.

Ata që dëshirojnë ta nënshkruajnë këtë peticion, këtë mund ta bëjnë duke e hapur linkun

https://www.openpetition.de/petition/online/kosovaren-kaempfen-gegen-einbuergerungshuerden-in-bayern-und-sachsen