Në Drenas do të ndërtohet një fabrikë ku do të punësohen rreth 1 mijë persona
Kompania gjermane "Kappa" do të ndërtojë fabrikë në vlerë prej 8-të milion euro për përpunimin dhe konservimin e perimeve në zonën ekonomike në Drenas.

Lajme
Në këtë fabrikë po ashtu parashihen të punësohen rreth 1 mijë persona. Lajmin për ndërtimin e kësaj fabrike e ka shprehur drejtori i kompanisë gjermane “Kappa Antipasti”, pas takimit që ka pasur me kryetarin e Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku.
“Vlera e investimeve për ndërtimin e fabrikës është mbi 8-të milion euro, dhe në fazën e parë do të punësohen 400 veta, ndërsa pas zgjerimit të kapaciteteve të fabrikës ishin premtimet që të punësohen 1 mijë veta”, është shprehur ai, thuhet në një komunikatë të Komunës së Drenasit.
Kryetari Nexhat Demaku gjatë takimit me investitorët gjerman, ka siguruar që të krijojë lehtësira procedurale për fillimin e ndërtimit të fabrikës për përpunimin dhe konservimin e perimeve, që do të ndërtohet përballë Parkut të Biznesit, përkatësisht në zonën ekonomike.
Komuna e Drenasit ka resurset me 5600 hektar nën sistemin e ujitjes, dhe pozita e tokës është e përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë intensive.