Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, ambasadorja e Kosovës në Panama viziton Misionarët e Bamirësisë

E ngarkuara me punë e ambasadës së Kosovës në Panama, Zana Rudi, mori pjesë në ceremoninë festive të shenjtërimit të Nënë Terezës në vendin ku ajo në vitin 1978 kishte hapur Shtëpinë e Misionarëve të Bamirësisë “Hogar San Jose”. Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, kryepeshkopi i Panamasë, Monsinjor Jose Domingo Ulloa mbajti një…

Lajme

06/09/2016 17:02

E ngarkuara me punë e ambasadës së Kosovës në Panama, Zana Rudi, mori pjesë në ceremoninë festive të shenjtërimit të Nënë Terezës në vendin ku ajo në vitin 1978 kishte hapur Shtëpinë e Misionarëve të Bamirësisë “Hogar San Jose”.

Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, kryepeshkopi i Panamasë, Monsinjor Jose Domingo Ulloa mbajti një ceremoni festive me të ftuar nga e tërë Panamaja për të nderuar jetën dhe veprën e Nënë Terezës në Panama dhe në gjithë botën. Monsinjor Ulloa ndër të tjera foli për takimin e tij mbresëlënës me Shën Terezën, dhe inkurajoi të gjithë t’iu shërbejnë komuniteteve ku jetojnë. Ai inkurajoi të gjithë të shohin punën dhe përkushtimin e Nënë Terezës si inspirim për të bërë më shumë. Ulloa tha se të shenjtë janë të gjithë ata që veprojnë në mënyrë të jashtëzakonshme në të mirë të komuniteteve të tyre.

Ndërsa, Zana Rudi tha se është një nderë i veçantë të flasë para atyre që misionin e Nënë Terezës e mbajnë gjallë. Ajo gjithashtu foli për jetën e Gonxhe Bojaxhiut dhe familjes së saj, që në jetën e tyre në qendër kishin vënë bamirësinë. Kjo lidhet ngushtë me traditën shqiptare të bamirësisë dhe solidaritetit ku normë fondamentale është “Shtëpia është e Zotit dhe e mysafirit”, tha ajo.

Duke cituar fjalët e presidentit të Kosovës, Rudi tha se “Nëna Terezë dhe simboli i saj në botë është edhe përgjegjësi, që të sillemi në përputhje me vlerat që ka promovuar ajo. Të jemi solidarë me njëri-tjetrin, të kujdesemi për njëri-tjetrin, të angazhohemi për paqe dhe mirëkuptim. Ky është kujtimi ynë për Nënën Terezë. Ky është obligimi ynë që kemi për të!”

Duke përmendur ngjarje të rëndësishme të historisë së ilirëve, shqiptarëve, katolicizmit në këto treva, për vlerat dhe traditat, e ngarkuara me punë, foli edhe për fshatin Letnicë, si vendi ku thuhet se Nënë Tereza dëgjoi thirrjen e Zotit dhe u përcaktua për të ndihmuar nevojtarët.

Rudi tha se Nënë Tereza ngriti edhe më lartë vlerat që ishin gjithmonë të pranishme në vendin tonë, i cili sot projekton tolerancë fetare, dialog, bashkëjetesë, dhe paqe. Edhe pse me rrënjë nga Kosova, ajo nuk ishte më një grua vetëm nga vendi jonë, ajo u bë grua e botës. Ajo nuk mbeti vetëm një grua e fesë katolike, ajo u shndërrua një grua të gjithë njerëzimit.  Trashëgimia e saj nuk është vetëm për shqiptarë, jo vetëm për katolikët, por për të gjitha vendet, për të gjitha etnitë, dhe për të gjithë burrat dhe gratë.

Me buzëqeshjen e saj që askush nuk mundi t’ia heqë, Nënë Tereza vazhdon të na rikujtojë me butësi të madhe se rruga që tejkalon gjithçka është rruga e dashurisë.

Rudi falënderoi motrat misionare të bamirësisë në Panama, duke u thënë se nëna e botës, Shën Tereza, vazhdon të jetojë përmes punës së tyre dhe kjo është dhurata më e bukur për njerëzimin.

Në fund, Rudi u tha të  pranishmëve: “Si përfaqësuese e popullit dhe Qeverisë së Kosovës në Panama, i përulem punës dhe figurës së Shën Terezës, dhe me shumë krenari ndaj me botën gruan universale”.

Urdhri i Misionarëve të Bamirësisë vepron në Panama që nga viti 1978, kur për herë të parë Nënë Tereza vizitoi Panamanë. Kjo shtëpi ndihmon të moshuarit e braktisur dhe fëmijët me nevoja të veçanta.

zana r1 zana r2 zana r3