Në Bruksel palët kanë rënë dakord për IBM

Gjatë takimit të sotëm në mes të dy palëve, Kosovë-Serbi, që po mbahet me ndërmjetimin e BE-së në Bruksel, është rënë dakord për ndërtimin ndërtesave në pikëkalimeve kufitare në përputhje me Menaxhimin e Integruar të Kufijve (IBM).

Lajme

04/09/2014 19:06

Sot në Bruksel u arrit dhe u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e ndërtesave të përhershme të IBM-it, në mes të delegacioneve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kryenegociatore për implementim në dialogun e Brukselit me ketë raste deklaroi se kjo marrëveshje për ndërtimin e ndërtesave të përhershme të IBM-it ka rëndësi të madhe sepse me ketë proces rrumbullakohet zbatimi i plotë i Marrëveshjes së IBM-it dhe të Protokollit Teknik, dhe praktikisht të dyja shtetet do të bashkëpunojnë në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufirit sipas standardëve më të larta të BE-së.

Kjo marrëveshje është negociuar tash një vit dhe arritja e saj shënon edhe një kontribut të të gjitha palëve për lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, rritjen e kualitetit dhe sigurisë së kontrollit kufitarë, dhe është në funksion të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ajo po ashtu rikonfirmoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me shtetin fqinj, Serbinë, dhe për avancimin e politikave të fqinjësisë së mirë në rrugëtimin e saj për integrimet Evropiane.

Me këtë marrëveshje parashihet ndërtimi i gjashtë pikave kufitare sipas konceptit të IBM-it me të gjithë infrastrukturën e nevojshme përcjellëse sipas standardeve më të larta të Bashkimit Evropian.

Këto pika të përhershme kufitare të IBM-it do të ndërtohen me financimin e Komisionit Evropian përmes fondeve të Instrumentit të Para Aderimit (IPA) me një shumë prej mbi 21 milion Euro.

Komisioni Evropian në bazë të procedurave të brendshme parasheh që ndërtimi i këtyre pikave kufitare të IBM-it të filloj në fillim të vitit të ardhshëm.

Delegacioni i Kosovës vlerëson lartë angazhimin dhe kontributin e BE-së për arritjen dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, si dhe zotimin e BE-së për të marrë përsipër financimin dhe ndërtimin e plotë të pikave kufitare të IBM-it në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në delegacionin e Republikës së Kosovës të kryesuar nga Zëvendëskryeministrja Tahiri ishin, Fisnik Rexhepi nga MPB, Dren Zeka nga kabineti i ZVKM Tahiri, Qemajl Marmullakaj nga ZKM, Kolonel Shaban Guda nga Policia e Kosovës, Bekim Mehmetaj nga Doganat e Kosovës, Valdet Gjinovci nga AUV, Murat Meha nga AKK, dhe Labinot Hoxha nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, shkruan KP.

Maja Kocijancic, Zëdhënëse e Përfaqësueses për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, me anë të një njoftimi, ka bërë të ditur, se në takimin e sotëm është arritur progres.

“Në kuadër dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga BE, ka vazhduar takimi lidhur me IBM-in. Të dyja pajtohen për përmbajtjen e draftit për pikë-kalimet në kuadër të IBM-it. Këto janë hapa pozitiv në implementimin e punës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kocijancic.

Zëvendëskryeministrja në detyrë, Edita Tahiri dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, janë takuar sot në Bruksel për të diskutuar për çështje teknike.