Në Bruksel diskutohet për MSA-në dhe liberalizimin e vizave
Në Bruksel është mbajtur takimi koordinues ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian në kuadër të finalizimit të Raportit të Progresit 2014.

Lajme
Sipas një komunikate për medie të lëshuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane, gjatë takimit u diskutuan të gjeturat dhe rekomandimet e draft Raportit të Progresit për vitin 2014.
Në Bruksel është diskutuar për MSA-në dhe për liberalizimin e vizave, ku KE është pajtuar me delegacionin kosovar që institucionet e Kosovës të fokusohen në zbatimin e Planit të Veprimit, pasi që në fund të vitit do të dorëzohet edhe raporti vlerësues mbi zbatimin e këtij dokumenti.
“Në veçanti u diskutua progresi dhe sfidat në kuadër të kritereve politike, ekonomike dhe standardeve Evropiane. Diskutim i veçantë u zhvillua rreth procesit të miratimit të MSA-së dhe përmbushjes së kritereve afatmesme të Studimit të Fizibilitetit”.
“Po ashtu, gjatë ditës u mbajt edhe takimi teknik në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, me ç’rast delegacioni i Kosovës ka prezantuar draft Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të fundit të Komisionit Evropian”.
“Komisioni Evropian vlerësoj lartë efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve të Kosovës në kuadër të përgatitjes së Planit të Veprimit dhe dy delegacionet u pajtuan që institucionet e Kosovës tani të fokusohen në zbatimin e Planit të Veprimit dhe rrjedhimisht deri në fund të vitit të dorëzojnë raportin e vlerësues mbi zbatimin e Planit të Veprimit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Integrimeve.
Delegacioni i Kosovës ka qenë i udhëhequr nga Gëzim Kasapolli, u.d. Ministër i Integrimit Evropian, ndërsa ai i BE-së nga Jean-Eric Paquet, Drejtor për Ballkanin Perendimor, Drejtorati i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian dhe Ioan-Dragos Tudorache, Shef i Njësisë për Çështjet Ndërkombëtare, Drejtorati i Përgjithshëm për Çështje të Brendshme në Komisionin Evropian.