Në Bashkimin Evropian arrihet marrëveshja për migrantët

Liderët e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje për migrimin, pas gati 10 orësh negociata në një samit në Bruksel.

Bota

29/06/2018 08:25

Italia, pika hyrëse për mijëra migrantë, kryesisht nga Afrika, ka kërcënuar me vënie të vetos ndaj të gjitha përfundimeve të grupit, nëse nuk i ofrohet ndihmë për këtë çështje.

Bisedimet kanë vazhduar deri në orët e para të së premtes, para se të arrihej një kompromis.

Liderët kanë thënë se qendrat e reja për migrantët duhet të krijohen në shtetet e BE-së, në baza vullnetare.

Këto qendra do të verifikonin se cilët migrantë janë refugjatë dhe kush është “migrant i paligjshëm, që duhet të kthehet”, thuhet në document, njofton rel.

Në një komunikatë të përbashkët po ashtu përmendet kufizimi i lëvizjeve të azilkërkuesve brenda vendeve të BE-së.

“Pas këtij samiti evropian, Evropa është më e përgjegjshme dhe ofron më shumë solidaritet”, ka thënë kryeministri italian, Giuseppe Conte.

“Sot Italia nuk është më e vetme”, është shprehur ai.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka ardhur në samit me nevojën e arritjes së një marrëveshjeje për shkak të krizës politike në vendin e saj, ka deklaruar se BE-ja duhet “të bëjë ende shumë punë për të tejkaluar pikëpamjet e ndryshme”.

Aktualisht blloku është thellësisht i ndarë për çështjen e migrimit, pasi disa shtete evropiane janë duke kundërshtuar skemën e BE-së për rivendosjen e 160,000 refugjatëve nga kampet e stërmbushura në Greqi dhe Itali.