Në afatin gushtit mbi 60 për qind të maturantëve kaluan testin

Komisioni Shtetëror i Maturës ka bërë publike rezultatet e provimit të Maturës Shtetërore në afatin e gushtit, sipas të cilave pragun e kalueshmërisë e kanë arritur 3.873 maturantë ose 60.01 për qind, nga 6.454 sa i janë nënshtruar këtij provimi.

Lajme

08/09/2016 14:05

Kryetari i KSHM-së, Azem Guri ka bërë të ditur se provimin e kishin paraqitur rreth 8.500 maturantë, por në testim kanë marrë pjesë vetëm 6.454 dhe prej tyre kanë arritur pragun e kalueshmërisë 60.01 për qind, ndërsa 2.581 maturantë mbeten të provojnë njohuritë e tyre vitin e ardhshëm.

Guri tha se KSHM e vlerëson të suksesshëm organizimin e administrimit të Provimit të Maturës në të dyja afatet dhe theksoi se këtë vit është vërejtur një vetëdijesim më i lartë i të gjithë akterevë të përfshirë në këtë proces, gjë që ka bërë që të mos paraqiten probleme që do ta dëmtonin këtë proces të rëndësishëm.

Në emër të KSHM-së, kryetari Guri iu uroi suksese të mëtutjeshme për regjistrim në arsimin e lartë të gjithë maturantëve që e kanë kaluar Provimin e Maturës, ndërsa për ata që nuk kanë kaluar uroi që të kenë sukses në vitin tjetër.