Në Aeroportin e Gjakovës u mbajt ushtrimi për menaxhimin e fatkeqësive (Foto)

Në Aeroportin e Gjakovës është mbajtur ushtrimi fushorë ”MASCAL 2017”, i cili kishte të bënte me menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera.

Lajme

24/08/2017 16:51

Ky ushtrim është mbajtur nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent-AME e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me përkrahje, organizim dhe asistencë nga Komanda e KFOR-it dhe me pjesëmarrjen e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, prezentë në Kosovë që kanë mandat reagimin në incidente specifike, realizuan ushtrimin fushor “MASCAL 2017” me skenar: “Rrëzimi i Aeroplanit Komercial”, ku si pasojë ka lëndime në masë.

“Në kudër të këtij ushtrimi u testua, komunikimi dhe koordinimi në incidente të karakterit kombëtar; reagimi i koordinuar midis faktorit vendor dhe ndërkombëtar, bazuar në Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Emergjencave (SIME) dhe Planin e Reagimit Kombëtar (PRK), si dhe rimëkëmbja pas situatave të kësaj natyre”, thuhet nw komunikatwn e MPB-së.

Me këtë rast zëvendëskomandanti i KFOR-it, Gjeneral Brigade Christian Reiner, e përgëzoi Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave për këtë ushtrim të suksesshëm. Ai tha se kjo është një ditë historike, sepse është hera e parë që AME e ka planifikuar, organizuar dhe ka ekzekutuar një ushtrim të këtillë të rëndësishëm.

20953988_1460838114004702_706376104746258664_n

Gjenerali Reiner përgëzoi po ashtu të gjithë organizatat tjera të cilat kanë kontribuar dhe që janë përgjegjëse për të ofruar siguri në të gjithë Kosovën. Ai theksoi se qëllimi i këtij ushtrimi, sikurse qëllimi i secilit ushtrim tjetër nuk është vetëm të trajnojmë organizatat tona dhe pjesëtaret e saj, gjithashtu është që të ngrijmë flamurin të tregojmë vetëbesim dhe gjithashtu të ndërtojmë besim.

“Si përfundim mund të them se institucionet e Kosovës mund të jenë krenare me këtë organizim. Dhe ajo që është më e rëndësishme është se populli i Kosovës mund të ndjehet i sigurtë në raste të emergjencave”, tha Gjeneral Reiner.

Nehat Koqinaj, udhëheqës i Ushtrimit nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, theksoi se skenari i këtij ushtrimi ka qenë që aeroplani me 35 pasagjerë me gjithë ekuipazhin, për shkak të problemeve është detyruar të ateroj në aeroportin e Gjakovës, me probleme të theksuara dhe nuk ka ateruar normalisht dhe është rrëzuar, si pasojë ka lëndime në njerëz. Lëndimet në skenarë kanë qenë 5 të lënduar rëndë, 20 të lënduar mesatarisht dhe 5 pa lëndime serioze.

“Përgatitja e këtij ushtrimi është bërë sipas planifikimeve që janë bërë që dy muaj dhe si pjesëmarrës janë reaguesit e parë që janë Zjarrfikësit e Kosovës, Policia e Kosovës dhe shërbimi medicinal emergjent, të cilët gjithmonë arrijnë të parët në vendngjarje. FSK-ja si reagues i dytë dhe njësitë e KFOR-it si reagues të tretë”, theksoi Koqinaj.

Zhvillimi i ushtrimit testoi zbatueshmërinë e dokumenteve bazë për Menaxhimin Emergjent në Republikën e Kosovës, si dhe gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare prezentë në Kosovë, për reagim dhe koordinim gjatë incidenteve të karakterit vendor.