Në 11-vjetorin e Pavarësisë, për herë të parë parakalon Ushtria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka bërë publike një pjesë të agjendës së 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Lajme

05/02/2019 20:01

11-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, do të organizohet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net, zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Në një përgjigje të Zyrës së Kryeministrit, thuhet se motoja e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është “Kosova, nder dhe detyrë”.

Po ashtu, për herë të parë këtë vit do të parakalojë edhe Ushtria e Kosovës.

Në përgjigjen e Kryeministrisë thuhet se janë duke punuar në vazhdimësi në agjendë dhe për këtë arsye kjo nuk është agjenda finale dhe mund të ketë përmirësime gjatë ditëve në vijim.

Lajmi.net po ashtu ka pyetur se cilat shtete janë ftuar që ta marrin pjesë në këtë ceremoni dhe sa i ka kushtuar buxhetit organizimi i 11-vjetorit të Pavarësisë, mirëpo për këtë nuk janë përgjigjur nga Kryeministria.

Më poshtë ju sjellim agjendën që Kryeministria ka dhënë për lajmi.net.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, organizohet Programi Festiv në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë:

Më datë 16 shkurt 2019

Ora 09:30 – Vendosja e Deklaratës se Pavarësisë, Sheshi “ Nënë Tereza”.

Ora 10:00- Ekspozita e punimeve artistike  “Simbolet e Pavarësisë”, Sheshi  “Zahir Pajaziti”

Ora 10:30- Hapja e Panairit të produkteve Vendore,  Sheshi “Adem Jashari”

E diel, 17 shkurt 2019

Ora 10:00 – 11:00, Program për Fëmijë, Sheshi “Zahir Pajaziti”

Ora 14:00 – 15:30, Koncert festiv për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, Sheshi “Zahir Pajaziti”

Ora 18:30 – 18:41, ndezja e Fishekzjarrëve

Ora 20:00, mbahet Koncert Festiv me këngëtarët e estradës Kosovare,  Sheshi  “Zahir Pajaziti”

Aktivitetet e parapara me rastin e 17 shkurtit, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sipas Agjendës Shtetërore janë:

E shtunë, 16 shkurt 2019

Ora 09:00- Deklarata e Pavarësisë, Nisja e Deklaratës së Pavarësisë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për në 7 qendrat kryesore të Republikës së Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj

E diel, 17 shkurt 2019

Ora 08:00 – 08:30, Mbledhja festive e Qeverisë- Vendi: Objekti i Qeverisë

Ora 08:30 – 08:45, Ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës- Vendi: Oborri i  Qeverisë

Ora 08:45 – 09:00, Vendosje e kurorave tek shtatorja e ish Presidentit Dr. Ibrahim Rugova nga liderët shtetëror

Ora 09:40 – 09:50, Vendosja e kurorave në kompleksin  “Adem Jashari”  nga liderët shtetëror

Ora 10:45 – 11:30, Seanca Solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës -Vendi: Objekti i Kuvendit

Ora 12:20 – 13:00, Parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga Sheshi “Nënë Tereza” deri te Sheshi “Ibrahim Rugova”. /Lajmi.net/