Në 11 shkolla të Gjilanit uji është jo i pijshëm
Në mesin e 14 shkollave fillore dhe të mesme në fshatrat e Gjilanit, 11 prej tyre uji ka dalë të jetë jo i pijshëm.
Lajme
Në analizat e bëra në këto shkolla, të cilat furnizohen nga puset dhe me rënie të lirë, të cilin e përdorin nxënësit, uji është me baktere. Krejt kjo për shkak të vërshimeve të mëhershme që përfshiu këtë vend në bazë të një raporti të Drejtorisë së Shëndetësisë, raporton KTV.
Në shkollën “Vesel Muji” në Mihir, pavarësisht se është konstatuar se uji është i papijshëm, nxënësit vazhdojnë ta pinë. Opozita në këtë komunë e sheh këtë gjendje si alarmante, ngase sipas tyre, uji ka dalë të jetë i kontaminuar dhe kjo po ua rrezikon shëndetin sikurse nxënësve, ashtu edhe banorëve.
Ndërsa pavarësisht rekomandimeve që të bëhet kolirizimi dhe dezinfektimi, një gjë e tillë po neglizhohet nga Komuna, përcjell koha.net. Por, gjendjen mundohen ta lehtësojnë udhëheqës të Komunës, të cilët thonë se situata është nën kontroll.
Kryetari i Gjilanit pranon se një indikator tjetër që ka ndikuar është rrjeti shumë i dobët i furnizimit.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë se shumë shpejt do të dalin me rezultatet përfundimtare për cilësinë e ujit në shkollat e zonave rurale të Gjilanit, raporton KTV.