Ndryshimi nuk vjen me PDK-në e LDK-në

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë të enjten në Klinë se dëshiron që më 9 qershor ta sheh ndryshimin, pasi e ndjen se Kosova krahasuar me shtetet tjera, nuk është tamam shtet i pavarur, pasi sipas tij nuk zbatohet ligji dhe qytetarët nuk lëvizin lirë.

Lajme

29/05/2014 17:21

Lideri i AAK-së ka thënë se qytetarët nuk po e përjetojnë shtetin për të cilin kanë vuajtur.

“Ne e kemi shpallë pavarësinë që gjashtë vite, por nuk kemi liberalizim të vizave. Ne jemi shtet i pavarur vetëm në territorin tonë. Jemi shtet i pavarur, por kemi shumë probleme. As ligjin nuk po mund ta bëjmë vet, por po duhet të na e bëj dikush, sepse nuk po na besojnë”, ka thënë lideri i AAK-së.

“Ky është një moment kur duhet me i nda rrugët, përndryshe lëre që do të ndihemi keq ne vet, por edhe të tjerëve do të ju vije keq për ne, nëse vazhdojmë kështu në rrugën në të cilën jemi”.

Haradinaj ka thënë se Kosova dikur ishte për keqardhje, kur nuk e kishte lirinë.

“Të gjithë na kanë përkrahur që ta fitojmë atë, tash ka ardhur koha që ne vet ta përkrahim veten në këtë vend. Ne duhet të vendosim, duhet ta marrim drejtimin”.

“Kur e kemi shkruar drejtimin për planin qeverisës të ardhshëm, kur e kemi shkruar Drejtimin e Ri, të gjitha ato i kemi menduar. Nuk e kemi bërë këtë dokument vetëm për ditën kur e kërkojmë votën, por është bërë për ndjenjën që duhet me u ndje mirë në vendin tonë”.

“E unë dua që të ndjehemi mirë edhe në krahasim me të tjerët. Nuk dua të ndjehemi të dobët, më të vegjël e më të parespektuar. Nuk dua që gjithë t’i marrim lakmi tjerëve. Nuk dua që qytetarët tanë t’i shohin të tjerët si kalojnë pa viza, e vetëm qytetari im nuk mundet. Andaj, po më vjen rëndë dhe dua ta shoh ndryshimin”.

“Ne kemi punuar një plan qeverisë, është plan zgjedhor, por baza e të cilit është materia që një qeveri mund të fillojë punën. Ne po shkojmë për një drejtim të ri qeverisës, përmes të cilit po synojmë zhvillim ekonomik”.

“Nuk mund të ecim përpara pa zhvillim ekonomik, pa bazë materiale, pa standard, me të papunë, me familje që nuk ka asnjë të punësuar, nuk bënë, nuk mundemi të ecim më andej, është dita kur duhet me u vendosë”.

“Në numrin 44 nuk e gjeni Aleancën me një opsion të thjeshtë qeverisës, por aty e gjeni të vërtetën. Pse? Sepse, nuk ka shumë dallim nga ajo që e flasim e ajo që e kemi shkruar, dhe nga ajo që Kosovës do t\’i ndodhë”.

“Në Kosovë subjektit që ka udhëheqë deri tash i është dhënë mundësia, por ju e shihni kapacitetin qeverisës, i shihni dëmet, ndasitë që na kanë ndodhur deri tani. Çka duhet me ndodhë në këtë vend më shumë, që me e ditë njerëzit që në këtë drejtim jemi në drejtim të gabuar, është drejtim humbës, nuk guxojmë më të vazhdojmë andej. Prandaj, një mandat i ardhshëm për qeverisjen aktuale do të ishte gabim fatal”, ka thënë Haradinaj duke aluduar tek qeverisja e PDK-së.

Ai ka kritikuar edhe LDK-në duke pyetur se a do të del Kosova nga kjo gjendje, nëse i japim besimin subjektit, i cili e dështoi kryeqytetin dhe thirret në vlera të dikurshme të ish-presidentit Rugova, të cilin ka thënë se e ka respektuar edhe vet.

“A është dalja nga kjo gjendje, subjekti që e dështoi kryeqytetin? është e pamundshme, nuk e them vetëm për shkak të agjendës zgjedhore, por është e vërteta. Prandaj, ju ftoj për besimin tuaj, të votoni kandidatët tuaj, me 8 qershor do t\’i japim fund tranzicionit, pritjeve, do t\’i japim Kosovës Drejtimin e Ri\”, ka thënë Haradinaj para qytetarëve të Klinës.