Ndryshimi i Pakos, i dëmshëm

Dastid Pallaska deklaron se prekja e Planit së Ahtisarit mund të çojë në ndryshim radikal të sistemit politik dhe kushtetues në vend. Ai shpreh frikën se kjo mund të shfrytëzohet nga disa politikanë pragmatikë për zgjerim të pushtetit politik.

Lajme

13/12/2013 06:35

Kërkesat e komuniteteve jo-shumicë që të kenë vende të rezervuara në Kuvend edhe për dy mandate tjera të legjislaturave dhe rritje të numrit të ulëseve të rezervuara mund të shkaktojnë ndryshim radikal të sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës.

Kështu ka thënë njohësi i çështjeve kushtetuese dhe ligjore Dastid Pallaska.

Ai ka deklaruar për lajmi.net se prekja e Pakos së Ahtisarit mund të jetë e dëmshme, pasi, sipas tij, të drejtat e këtij komuniteti mund të përdoren nga disa politikanë pragmatikë për ta zgjeruar pushtetin tyre.

“Unë mendoj se tani pas integrimit, së paku deklarativ, të komunitetit serb në Kosovë, ndryshimi i formulës së Ahtisarit për mbrojtjen dhe përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë do të jetë tejet i dëmshëm”.

“Për shkak se kam frikën që, nën ombrellën e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, mund të fshihet qëllimi për zgjerim të pushtetit politik të disa politikanëve pragmatik, pa dallim etnie”.

Deputetë e pakicave gjatë një takim të djeshëm i kanë prezantuar platformën ambasadorëve të shteteve të BE’së në mënyrë që të sigurohet një mbështetje nga përfaqësuesit politikë të shumicës për propozimin e ndryshimeve kushtetuese.

Ata kanë kërkuar që përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë që të mundësohen dhe dy mandate shtesë për ulëset e rezervuara në Kuvend.

Por , Pallaska konsideron se ulëset e rezervuara, sipas Pakos së Ahtisarit, komunitetit pakicë i ka të garantuara vetëm dy mandate.

“Unë nuk kam njohuri për kërkesat e komuniteteve jo-shumicë, por mund të them se në bazë Planit të Ahtisarit, i cili është mishëruar në Kushtetutën tonë, vendet e rezervuara janë paraparë vetëm për dy mandate pas aprovimit të Kushtetutës”.

“Sipas Planit të Ahtisarit, në mandatin e tretë pas miratimit të Kushtetutës vendet e rezervuara do të zëvendësohen me vende të garantuara”.

“Kështu që një ndryshim i Planit të Ahtisaarit, apo qoftë edhe rritja e numrit të vendeve të rezervuara apo garantuara, paraqet ndryshim radikal të sistemit politik dhe kushtetues për mbrojtjen dhe përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë që mund të prish baraspeshat e vendosura me shumë vështirësi në të”, thotë Dastid Pallaska për lajmi.net.