Ndryshimi fillon me Vitinë

Albin Kurti në Pozharan dhe Remnik u bën thirrje votuesve të votojnë për ndryshim. E ndryshimi, sipas tij, është vetëm Vetëvendosje.

Lajme

01/11/2013 10:43

Kryetari i Vetëvendosje’s, Albin Kurti ftoi votuesit e Vitisë që ta nisin ndryshimin duke votuar këtë subjekt në zgjedhjet e së dielës.

Kurti u takua mbrëmë me votuesit e fshatrave Pozharan dhe Remnik.

Ai tha se për qytetarët e Komunës së Vitisë është shumë e rëndësishme që të fitojë Salih Salihu.

“Me fitoren e Salih Salihut, Vitisë do t’i kthehet zhvillimi e sundimi i ligjit. Me fitoren e asambleistëve të Vetëvendosje’s ,Kuvendit Komunal të Vitisë do t’i kthehet parlamentarizmi dhe demokracia”.

Më tej, Kurti theksoi domosdoshmërinë e ndryshimit të këtij pushteti.

“Ky pushtet ndërrohet vetëm nëse qytetarët e përkrahin dhe e votojnë Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Kurti duke u bërë thirrje të pranishmëve që të ftojnë edhe nga tetë miq, familjarë e të afërm, që të dalin e të votojnë më 3 nëntor.

“Sepse sa më shumë njerëz që të dalin në votime, aq më shumë do të fitojë Lëvizja Vetëvendosje dhe aq më shpejtë do të vije ndryshimi në Viti”.

Duke shpalosur alternativën qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Vitisë, kandidati për kryetar të Komunës, Salih Salihu, tha se kjo alternativë është “shpëtimi i vetëm” për këtë komunë.

Salihu u zotua për përkujdesje më të madhe për rininë, duke theksuar rëndësinë e rinisë për ndryshimet e mëdha që i duhen shoqërisë tonë.

“Më 3 nëntor është shumë e rëndësishme që të dilni sa më masivisht në zgjedhje dhe të votoni Lëvizjen Vetëvendosje, me fitoren e së cilës do të ndodh ndryshimi i madh në Viti”, tha Salih Salihu.