Ndotjet intelektuale
Intelektualët tanë me përfshirjen e tyre në politikë nuk e kanë bërë atë që pritej prej tyre, përkundrazi, ata janë zhveshur nga vlerat, nga etika dhe morali. Kështu vlerësojnë kolegët e tyre që parapëlqejnë neutralitetin në politikë.
Lajme
Partitë kryesore politike në Kosovë, në përpjekje për të ndrequr imazhin e tyre para publikut, po nxjerrin në ekranet televizive, personalitete të njohura nga sfera akademike.
Në shumicën e subjekteve politike kanë aderuar intelektualë, pesha e të cilëve në parti nuk është gjithaq e madhe, sa ndikimi i tyre në publik.
Ka një vlerësim interesant për aderimin e intelektualëve në politikë, nga kolegët e tyre që parapëlqejnë të ruajnë neutralitetin.
Akademiku Mehmhet Kraja, thotë se pjesëmarrja e intelektualëve në politikë, në parim, do të duhej të ishte në rregull, pasi, sipas tij, pjesëmarrja e politikanëve në politikë dhe në zgjedhje, veçanërisht në fushata politike do të duhej të sillte cilësi të re, një cilësi që do të duhej të ish parë pozitivisht.
“Tani po them se si ndodh te ne, ndodhin gjëra të shëmtuara, mendoj se intelektualët e kanë humb, me një fjalë, me përfshirjen e tyre në politikë nuk e kanë bërë atë që do të duhej, nuk e kanë bërë atë që pritej prej tyre, përkundrazi, janë zhvesh nga vlerat, janë zhvesh nga etika, janë zhvesh nga morali dhe i janë nënshtruar të bërit politikë sipas standardeve të ulëta, sepse, jo gjithkund është me standarde të këtilla siç e kemi ne”.
“Politika, në vendet normale, e ka një standard normal, ta quaj ashtu, këtu tek ne politika ka standarde të ulëta dhe si e tillë është ndotëse për një intelektual, edhe ndotëse për jetën e intelektualit në përgjithësi dhe ndotëse paraqitet te ne, e tillë, nuk do të duhej të ishte kështu. Ndotëse për njeriun dhe ndotëse për klasën intelektuale në përgjithësi. Kjo është ajo mendoj”.
Kraja totë se intelektualët kosovar, me pjesëmarrjen e tyre në politikë e humbin integritetin për shkak se nuk janë konsistent .
“Fatkeqësisht, fakti është rrethana te ne dhe unë them që kjo rrethanë do të zgjasë edhe për një kohë, nuk është aq e lehtë të tejkalohet derisa politika të kthehet në suazat, nuk dua ta fajësoj vetëm politikën, por, megjithatë, ajo është arsyeja pse është deformuese kjo rrethanë për shkak se politika ofron më shumë sesa do të duhej të ishte normale”.
“Normal që politika do të duhej të ofroj diçka, por jo aq shumë sa të paraqitet aq joshëse për të gjithë njerëzit”.
Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi, thotë se në fakt intelektualët kosovar janë të paformuar mirë, për shkak të rrethanave në të cilit është bërë formimi i tyre
Demaçi thotë se intelektualët tanë i ka formuar okupatori, gjë që e kemi sot këtë realitet.
“Vazhdimisht ishim në situatë që të tjerët të na i shkollonin intelektualët, të tjerët të na i përgatisnin intelektualët, prandaj edhe ata nuk dolën ajo cilësia e kërkuar e tyre, por me ndikime nga jashtë, shembull pati pak ndikim nga Shqipëria, jo televizori, jo radio, jo ndonjë libër, jo ndonjë gazetë etj”.
“Kështu që u krijua edhe një shtresë intelektuale që ishte me kombin, me popullin, të cilët u gjendën në burgje nëpër situata të ndryshme deri edhe në kryengritje etj”.
“Domethënë, nuk e kemi ne një inteligjencë të formuar mirë kombëtarisht edhe të formuar me themele të mira, të shëndosha, dom thënë se thash që shkollimi ishte më shumë ‘palaval’ sesa që ishte serioz. me përjashtim ai 10 përqindëshi që ishin njerëzit e talentuar vetë të mësonin e të dinin, të tjerët e kalonin shkollën ashtu si mundnin ”.
Demaçi thotë se partitë politike janë bërë burim i pasurimit të shpejtë, gjë që po i joshin intelektualët.
“E kemi, thash, njëfarë situate që intelektualët vrapojnë pas partive, sepse, partitë tona janë bërë një burim i pasurimit të shpejtë, sepse organizimi është i tillë me këta tenderë e pa tenderë që njerëzit brenda natës kanë qenë në zero dhe tash është me pallate, me pasuri të ndryshme, me qindra hektarë me mijëra hektarë toka, me pompa, pa pompa, me kapacitete, banka, firma etj”.
Shkrimtari Jusuf Buxhovi, thotë se nuk është e thënë që intelektualët të mos interesohen për politikë, por, siç shprehet ai, duhet të interesohen dhe të drejtojnë politika nacionale e jo për grupe të caktuara të interesit.
“Për fat të keq, ne sot e kemi një relacion të tillë që shumë intelektual i’u kanë nënshtruar politikës. Kjo nuk flet mirë as për politikën as për intelektualët, sepse asnjë politikë nuk mund të jetë e qëndrueshme po që se intelektuali do t’i kthehet shërbëtor siç ndodh sot tek ne dhe në të njëjtën kohë asnjë intelektual nuk mund ta ketë kredibilitetin e vet nëse ai kthehet në shërbëtor të politikës”.
“Pra, kjo thotë se ne si shoqëri, e cila i ka vu vetes projekt të tillë që ta ndërtojmë shtetin në këtë tranzicion, për fat të keq po e shfrytëzojmë që ta degradoj intelektualin dhe me këtë të degradohet edhe politika”
“Është për keqardhje që disa politikanë tonë, madje edhe akademikë, kështu ta quaj, të cilët janë shihen nëpër fushata, kjo do të ketë ndikim shumë të keq edhe në planin intelektual dhe në planin shoqëror por edhe në planin politik”.
“Plani intelektual do të thotë, sepse, disa akademik tanë që po shihen nëpër fushata do t’i japin shembull të keq edhe të tjerëve se duhet t’iu nënshtrohen politikave, në planin shoqëror, po ashtu ka një ndikim të keq, sepse, ata kanë studentë, edhe japin si me thënë mësim në institucione të ndryshme gjë që është tepër e ndaluar që të veprohet”.
(Kosovapress, Lajmi.net)