Ndihmuan në arratisjen e serbit, në pranga edhe 2 policë në Kukës

Gjashtë persona janë arrestuar nga Policia e Kukësit, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndihmuar në arratisjen e një shtetasi serb, i cili ishte në masë sigurie “arrest shtëpie”.

Lajme

02/01/2019 14:39

Shtetasi serb, ruhej nga dy efektivë policie, të cilët kanë rënë në pranga.

Ndërkohë mes të arrestuarve është edhe një shtetas kroat, një shtetas kosovar dhe një vajzë kosovare.

– K.M., 38 vjeç, banues në Pobreg, Kukës;

– J.D., 23 vjeç, banues në Rjekë, Kroaci;

– R.K., 46 vjeç, banues në Vushtri, Kosovë;

– F.T., 26 vjeçe, banuese në Prishtinë, Kosovë;

– K.S., 53 vjeç, banues në Bushtricë, Kukës, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kukës;

– Xh.N., 43 vjeç, banues në Kukës, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kukës.

“Arrestimi i shtetasve KM., J.D., R.K. dhe F.T. u bë pasi në datë 1 janar 2019, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë ndihmuar për t’u larguar nga vendi i qëndrimit, shtetasin serb S.V., 53 vjeç, banues në Mirocka, Serbi. Ky i fundit ishte me masë sigurie ”Arrest shtëpie” dhe ruhej nga punonjës policie në një ambient privat, në Kukës”, – thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, arrestimi i dy punonjësve të policisë u bë pasi gjatë kohës që ishin me detyrë, ruajtjen e shtetasit S.V., kanë lejuar takimin e tij me të afërm pa autorizim përkatës, duke mundësuar largimin e të arrestuarit nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm. Gjithashtu nisi procedimi penal dhe po punohet për kapjen e shtetasit serb, me iniciale S.V.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Dhënia ndihmë një të burgosuri për largim, kryer në bashkëpunim”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Shpërdorim i detyrës”. /TCH