Ndihmë e vogël, megjithatë faleminderit!

Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se në krahasim me interesimin e Serbisë ndaj serbëve në Kosovë, fond i ndarë nga dy qeveritë shqiptare është simbolik. Sipas tij, Serbia ka ndarë një fond prej 43 milionë eurosh për serbët e Kosovës.

Lajme

13/01/2014 09:02

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka mirëpritur angazhimin e dy qeverive shqiptare për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Por, s’është ndarë i kënaqur me shumën prej 100 mijë euro që ato kanë ndarë për Preshevën.

Mustafa ka thënë për “Epoka e Re” se kjo është një shumë e vogël, një shumë simbolike.

“Kjo vlerë është një ndihmë e vogël, megjithatë ne do të themi faleminderit Shqipëri dhe faleminderit Kosovë!”.

“Në krahasim me interesimin e Serbisë ndaj serbëve në Kosovë, ky fond është simbolik”.

“Serbia me miratimin e buxhetit për këtë vit ka ndarë një fond prej 43 milionë eurosh për serbët e Kosovës, prandaj 100 mijë eurot e ndara për Preshevë nga dy qeveritë janë simbolike”.

“Po të kishte Kosova një interesim dhe përkushtim për shqiptarët me fonde sikurse ka Serbia për serbët e Kosovës do të krijohej një situatë më e qëndrueshme e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

“Në Kosovë janë dikur rreth 50 mijë serbë, ndërsa në Luginë të Preshevës janë rreth 100 mijë shqiptarë dhe në këtë kontekst nuk është një kujdes proporcional i dy shteteve amë karshi pakicave që jetojnë jashtë trojeve të tyre”.

“Prandaj, padyshim kjo vlerë është një ndihmë e vogël, megjithatë do të themi faleminderit Shqipëri dhe faleminderit Kosovë”.