Ndeshja po afron, çmimi i biletave në tregun e zi arrin shifrën e 300 eurove

Edhe njëherë tjetër të gjitha biletat për ndeshjen e radhës të Kosovës u ‘avulluan’ brenda 10 minutave.

Sport

14/10/2019 14:15

Më 7 tetor u shitën të gjitha biletat për takimin Kosovë – Mali i Zi, që zhvillohet sot në stadiumin mitik ‘Fadil Vokrri’.

Të hënën e kaluar në orën 16:00 uebsajti që merret me shitjen e biletave ‘’tiks.app’’ u vërshua nga mijëra klikime brenda vetëm pak çastesh, shkruan lajmi.net.

Shitja e shpejtë e biletave ka qenë një nga kritikat e tifozëve, të cilët assesi nuk po munden të sigurojnë një biletë për ta parë nga afër skuadrën dardane.

Por tregu i zi vazhdon të lulëzojë edhe kësaj radhe, me çmime jashtëzakonisht të mëdha.

Në faqet online ku bëhet shitja e biletave mund të shihet një numër të madh postimesh për shitje të biletave edhe pse kanë mbetur edhe pak orë në fillimin e takimit.

Një biletë VIP e cila kushton me çmim real 80 euro, tash kushton plotë 300 euro.

Ndërkohë, bileta e 20 eurove në pjesën perëndimore tash po shitet rreth 100 euro.

Kujtojmë se futbolldashësit kanë kritikuar këtë dukuri negative, që është e vetmja gjë që po prish atmosferën jashtë fushës në sukseset e Kombëtarës së Kosovës. /Lajmi.net/