Ndërtimet në Badovc, pezullohet Plani Zhvillimor Komunal

Seanca e jashtëzakonshme për mbrojtjen e liqenit të Badovcit ka përfunduar me votimin pro që Kuvendi Komunal i Prishtinës të pezullojë Planin Zhvillimor Komunal për zonat 1, 2 dhe 3 për mbrojtje në pjesën e liqenit të Badovcit deri në nxjerrjen e dokumenteve të reja të planifikimit në këtë zonë.

Lajme

28/01/2020 15:18

Bashkë me këtë propozim u votuan edhe dy rekomandimet tjera siç janë ai për anulimin e kushteve ndërtimore të lëshuara në pjesën e Badovcit, si dhe këtë zona ta shpallë peizazh të mbrojtur dhe të bashkohet me peizazhin e mbrojtur të Parkut të Gërmisë.

Në pjesën e dytë të seancës së jashtëzakonshme ku vazhdoi debati për mbrojtjen e liqenit të Badovcit nga ndërtimet, iniciuesi i kësaj seance, asamblisti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Leotrim Retkoceri i prezantoi këto rekomandime.

“Kemi marrë qëndrim që të kemi dy rekomandime për mbrojtjen e liqenit të Badovcit dhe një vendim. Rekomandimi është kësisoj kërkesa që komuna e Prishtinës në bazë të akteve ligjore në fuqi të anulojë kushtet ndërtimore të lëshuara në pjesën e liqenit të Badovcit  më datën 26.12. 2019. Rekomandimi dy është të fillojë procedurat që zonën përreth liqenit të Badovcit, e cila nuk është e përfshirë në peizazh të mbrojtur të bashkohet me peizazhin e mbrojtur  me parkun rajonal të Gërmisë… Propozimi për vendim është që Kuvendi komunal të merr vendim që të pezullojë Planin Zhvillimor Komunal për zonën 1, 2 dhe 3 për mbrojtje në pjesën e Badovcit deri në nxjerrën e dokumenteve të reja të planifikimit në këtë zonë“, tha ai.

Por, asamblisti i Partisë Socialdemokrate, Nol  Nushi ndonëse u shpreh se do i votojë këto rekomandime, tha se ato nuk kanë bazë ligjore.

“U dakorduam me vetëdije të plotë që jemi duke e vendosur një pikë që nuk ka bazë ligjore, ne sot mund ta votojmë  neve nuk na ndjek ligji, unë kam për ta votuar, sepse nuk ka kurrfarë rreziku prej kësaj pune, por dije që vendimi që komuna ta pezullojë Planin Zhvillimor për atë pjesë absolutisht nuk e ndal asnjë ndërtim për atë zonë, sepse deri në planin e ri ai plani aktual mbetet në fuqi”, u shpreh Nushi.

Me këtë u pajtua edhe bashkëpartiakja e tij, Vale Peshku e cila tha se nëse duan t’u ‘hedhin hy hi syve’ të qytetarëve, se me këto rekomandime janë duke bërë diçka për të mbrojtur Badovcin, në fakt, sipas saj, ata nuk janë duke bërë asgjë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti iu drejtua asamblistëve se brenda një dite përmes kërkesës së tyre për pezullim të Planit Zhvillimor Komunal po mundohen të bëhen më ekspertë se vetë shteti.

Ai madje tha se ky plan nuk mund të pezullohet me një vendim të Kuvendit Komunal dhe këto rekomandime nuk i sheh si një zgjidhje për të ndaluar ndërtimet në zonën e Badovcit.

“Për një ditë po doni të bëheni më ekspertë sesa krejt vendimet e shtetit qe 20 vjet. Pra, e keni vendimin e vitit 2013 të Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e akumulimit të Badovcit. Janë të caktuara zonat, është e vizatuar në hartë,  ju jeni duke marrë vendime pa e parë hartën hiq… Nuk jemi kundërshtar këtu, nuk jeni duke më kuptuar, nuk jam duke u munduar për ta mbrojtur, unë po them nëse me të vërtetë e kemi përnjëmend me e ndal atë lagje, ka mënyra tjera ligjore këtu jeni duke e bërë një vendim politik për të dalë mirë  në televizion edhe të thoni  ‘ne e përfunduam tonën, por me na e lënë neve ende në dorë sepse ne nuk mundemi me sjell në mënyrë kundërligjore’. Pra ju nuk mund ta pezulloni PZHK me një vendim të Kuvendit”, tha Ahmeti.

Sqarime rreth situatës së krijuar për ndërtimin e lagjes në Badovc dha edhe drejtori i Departamentit të Urbanizimit, Arian Olluri.

“Ky vendim ka qenë në fuqi para miratimit të Planit Zhvillimor Komunal dhe Plani Zhvillimor Komunal e ka miratimin edhe nga ministria. Tash po kërkoni me rekomandim të Kuvendit të pezullohen kushtet ndërtimore, të cilat i kemi lëshuar në fund të këtij procesi. Ministria na i ka kthyer me arsyetimin se Plani Zhvillimor Komunal është mbi Planin Rregullues Urban, në bazë të cilit ne e kemi refuzuar dhe se ne duhet ta trajtojmë kërkesën në bazë të Planit Zhvillimor Komunal dhe që zona e dytë nuk ndalohet ndërtimi i shtëpive rurale… Po kërkohet që ne ta shfuqizojmë një akt administrativ, një të drejtë që  e ka fituar pala në të drejtën administrative duke u bazuar në rekomandimin e Kuvendit, gjë që ligjërisht nuk kemi të drejtë sepse nuk mund të shfuqizohet një akt administrativ në bazë të një rekomandimi”, tha ai.

Seanca e jashtëzakonshme për mbrojtjen e Badovcit, e iniciuar nga asamblistë të PDK-së ngjalli debate të ashpra edhe sot në mes të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendose dhe të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili tha se për lagjen e Badovcit ka pasur presion edhe nga Vetëvendosje.