Ndërtim konkret, jo simbolikë

Analisti Baton Haxhiu mendon se për “Bashkimin Qeveritar” Kosovë-Shqipëri, i cili ndodh sot në Prizren, simbolika është e panevojshme, nëse nuk prodhohet diçka konkrete. Po ashtu, thotë se projektet shtetërore s’duhet të ngatërrohen me ato individuale.

Lajme

11/01/2014 06:54

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do ta kalojnë ditën e sotme me takim të përbashkët, në qytetin e Prizrenit, duke shënuar herën e parë të një nisme të tillë politike.

Këtë “bashkim qeveritar”, i cili po ndodh me iniciativën e Kryeministrave Hashim Thaçi dhe Edi Rama, disa e kanë parë thjesht si një simbolikë dhe atraksion për media, e të tjerë e kanë konsideruar si një nismë të thellimit të raporteve mes dy vendeve.

Analisti Baton Haxhiu, në një bisedë për lajmi.net, thotë se Prishtina dhe Tirana më shumë afrohen përmes individëve sesa përmes projekteve.

Sipas tij, projektet shtetërore çdoherë ngatërrohen me projektet individuale.

“Problemi kryesor është ndërtimi i sistemit të bashkëpunimit mes Prishtinës dhe Tiranës, e jo të përdoret miqësia për të ndërtuar pastaj sistemin”.

“Nëse nuk kanë ndërtuar një platformë për të ndërtuar sistem, marrëveshjet do të mbesin mes miqve. Besoj që kanë mësuar nga pësimet e kaluara të takimeve mes tyre”.

Vetë përzgjedhja e Prizrenit si vend për t’u mbledhur dy Qeveritë, sipas Haxhiut, flet për një simbolikë. Simbolikë historike, e jo shtetërore.

“Për faktin që janë nisur përmes simbolikës historike e jo shtetërore, tregon që ka diçka për ‘PR’ e tyre.”

“Prizreni është një nga qytetet që nuk i dallon as shqiptarët e Shqipërisë dhe as të Kosovës, për shkak të historisë”.

“Natyrisht, nëse nuk ndërtohet një sistem pas simbolikës, krejt ky takim do të mbetët në nivel të simbolikës”.

Por, përveç simbolikës, fotografive e kamerave, a mund të pritet të përfitojnë  diçka nga këto takime Kosova dhe Shqipëria?

Analisti Baton Haxhiu mendon se janë së paku 50 pika që mund të ndërtojnë diçka të përbashkët këto dy Qeveri.

“Nuk kanë nevojë që shtete të shpenzojnë, për shembull, për një qendër të distribuimit të përbashkët, kur të gjitha produktet bujqësore mund vendosen me një qendër të madhe të distribuimit, ku do të investonin të dyja shtetet dhe do të shpërndaheshin në të gjithë Shqipërinë dhe Kosovën. Pra, produktet e dyja vendeve të jenë të koncentruara në një qendër të madhe, ku përfitues do të ishin 7 milionë shqiptarë dhe do të hapeshin shumë vende të punës”.

“Do të mund të ndërtonin një qendër të madhe diagnostike, e më nuk do të harxhoheshin të holla të panumërta në Turqi, Gjermani, Itali, në Maqedoni dhe vende tjera. Supozohet që rreth 400 milionë euro harxhohen vetëm me shërime jashtë vendit. Paramendoni çka do të ndodhte nëse do të investoheshin 400 milionë euro.”

“Do mund të ndërtohej një qendër spitalore e cila është deficitare. Ta zëmë, një Neurokirurgji ose një  Kardiologji”.

“Pastaj, mund të ndërtojnë një sistem të përbashkët të nevojave të bizneseve në Kosovë. Ai sistem do ta ndërtonte një shkollë profesionale të veçantë, ku shpërndarja e këtyre kualiteteve do të ishte për nevojat e të dyja vendeve”.

“I përmenda pesë a gjashtë shembuj. Sa nevoja të tilla të përbashkëta ka, nuk e kemi idenë.”

“Natyrisht, nëse nuk merren me gjëra konkrete, atëherë simbolika e tyre do të ishte e panevojshme. Unë nuk besoj që Ministrat e Punëve të Jashtme kanë dëshirë që të fotografohen vetëm sa për të marrë vota. Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë diçka konkrete”.

Disa nga forcat politike në Kosovë dhe Shqipëri shpesh kanë lansuar deklarata për Bashkimin Kombëtar. Por, a do të jetë ky togfjalësh zyrtar në fjalorin e politikës, pas takimit të dy Qeverive?

Baton Haxhiu thotë se krejt projektet politike për Pavarësinë e Kosovës janë nisur mbi Bashkimin Kombëtar, ndërsa rrugës kanë dalë probleme tjera dhe është shndërruar në një pragmatizëm deri tek ajo pikë.

“Se kur do të ndodhë ajo, mendoj se do të ndodhë më shpejt sesa që ne mendojmë dhe do të ndodhë më shpejt sesa që të tjerët nuk kanë dëshirë”.

“Mendoj se edhe shqiptarët e Shqipërisë, edhe të Kosovës, sidomos Qeveritë, duhet të përgatiten më shpejt për një bashkim të tillë.”

“Kjo do të ndodhë atëherë kur të dyja vendet, Kosova dhe Shqipëria, do të ekuilibrohen në të gjitha nivelet”.

“Problemi kryesor i momentit që i ndan të dy këto shoqëri janë elitat, nuk janë popujt. Kur përafrohen elitat, atëherë elitat do të vendosin a do të bashkohen apo jo. Problemi është tek elita, nuk është tek populli”, thotë Baton Haxhiu për lajmi.net.