Ndërrohet pronari i Trepçës
Kuvendi ka miratuar ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Me këtë ndryshim, pronari i vetëm i Kombinatit Trepça, do të jetë Qeveria e Kosovës. Ligjin për plotësim-ndryshim e ka prezantuar Ministri, Dardan Gashi.
Lajme
Është miratuar Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili e nxjerrë Trepçën nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, duke e shndërruar këtë Ndërmarrje Publike, në pronësi të shtetit të Kosovës.
Ligji, mori 45 vota pro, 10 kundër dhe 8 abstenime nga deputetët e Kuvendit.
Ligjin për plotësim-ndryshim e ka prezantuar Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, i cili ka ftuar deputetët që ta votojnë atë, pasi, sipas tij,u mundëson ndërmarrjeve do të ketë një zhvillim të madh.
Në emër të PDK-së, deputetja Sala Berisha-Shala tha se çështjet kryesore të trajtuara në këtë projektligj kanë të bëjnë me krijimin e bazës juridike që me vendim të Kuvendit të Kosovës të hiqen nga kompetenca e AKP-se ndërmarrje të caktuara shoqërore ose njësi ta caktuara organizative të një ndërmarrje shoqërore dhe këto te regjistrohen si ndërmarrje publike ne pronësi te Republikës se Kosovës.
Ndërsa, deputeti Lutfi Zharku në emër të LDK-së, tha se është një keqinterpretim tek ligji, pasi projektligji nuk është sjellë me asnjë dispozitë që e përcakton se ky është ligj për Trepçën.
Në emër të Vetëvendosjes, deputeti Faton Topalli tha se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të krijoj asnjë mundësi ligjore, që çfarëdo qeverie të ketë mundësi të abuzoj me Trepçën duke e shitur pjesërisht apo tërësisht atë.
Deputetë në lexim të dytë kanë miratuar edhe projektligjin për sigurimet shëndetësore në Kosovë. ndërsa, nuk është miratuar raporti i Komisionit për Arsim, për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për arsimin e lartë në Kosovë. Seanca vazhdon nesër në orën 10:00. (Kosova Press)