Ndërrimi në Prishtinë

Isa Mustafa ka zbritur shkallët e ndërtesës së Komunës së Prishtinës, për herë të fundit si Kryetar. Përveç zyrës, ai i la Ahmetit edhe fatin e veturës zyrtare “Audi Q7”. Në zyrën re të Shpend Ahmetit nuk shihet Flamuri i Kosovës.

Lajme

26/12/2013 14:20

Isa Mustafa u largua nga ndërtesa e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Menjëherë pasi i ka dorëzuar detyrën Shpend Ahmetit të sapobetuar, Isa Mustafa ka zbritur shkallët e ndërtesës së Komunës të cilën e drejtoi për gjashtë vjet.

Fotoreporteri i Lajmi.net, Petrit Rrahmani sjell fotografitë e ndërrimit të pushtetarëve në Komunën e Prishtinës.

Mustafa është larguar me veturën e tij private duke e lënë në “mëshirën” e Kryetarit të ri të Komunës fatin e veturës zyrtare “Audi Q7” e cila qe bërë objekt i fushatës zgjedhore.

Ahmeti ka premtuar se shitja e kësaj veture do të jetë një ndër vendimet e para të tij si kryetar i Komunës.

Por, Shpend Ahmeti duket se në hapin e parë është marrë me flamuj.

 

Foto: Arkiv

petrit rrahmani -  shpend ahmeti 12_23

 

Ai ka hequr nga zyra e tij e re flamurin e Kosovës dhe ua ka bërë vendet vetëm flamurit kombëtar dhe atij me stemën e Komunës që do ta drejtojë për katër vjet.

Fotografitë e vjetra tregojnë se flamuri i Kosovës ka qëndruar prapa shpinës së Isa Mustafës, krahas flamurit të Dardanisë, të propozuar nga ish Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova për flamur të Kosovës.

Por, fotografia e Ibrahim Rugovës në ballë të zyrës mbetet e paprekur.

Vetëvendosje ka një shpjegim për mungesën e flamurit të Kosovës në zyrën e Shpend Ahmetit.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi, ka thënë për lajmi.net se flamuri i cili ka qenë në Zyrën e Kryetarit është zhvendosur në sallën e Asamblesë Komunale nga administrata dhe nuk është kthyer më në vendin e vet në momentin e dorëzim-pranimit të detyrës.