Ndërpritet sinjali i shitjes së PTK’së
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka thënë për Reuters se Qeveria ka kërkuar nga kompania fituese për ta shtyrë nënshkrimin e marrëveshjes së paku deri më 21 tetor. Afati i fundit për nënshkrimin e marrëveshjes ishte 30 shtatori.

Lajme
Qeveria e Kosovës ka shtyrë përsëri nënshkrimin e marrëveshjes për ta shitur PTK’në, proces i cili kërcënon t’i shkaktojë më shumë dëm reputacionit të vendit në mesin e investitorëve të huaj dhe që mund ta rrëzojë Qeverinë.
Marrëveshja 227 milionëshe kërkon aprovimin e parlamentit por po has në rezistencë nga një numër deputetësh nga koalicioni qeveritar i Kryeministrit Hashim Thaçi, si dhe nga opozita.
Ata thonë se kompania fituese e shpallur në muajin prill që përbëhet nga një konsorcium i ACP Axos Capital Gmbh i Gjermanisë dhe Najafi Companies nga Shtetet e Bashkuara, kanë nënvlerësuar kompaninë më fitimprurëse të Kosovës, raporton Reuters.
Analistët thonë se privatizimi është peng i kundërshtive brenda PDK’së së Hashim Thaçit e cila ka humbur votat në parlament gjatë muajve të fundit.
Parlamenti dështoi ta votojë marrëveshjen javën e kaluar për shkak të mungesës së kuorumit.
“Sot kemi dërguar një kërkesë te fituesi për ta shtyrë nënshkrimin e marrëveshjes së paku deri më 21 tetor”, ka thënë Ministri i Ekonomisë Fadil Ismajli për Reuters. Afati i fundit për nënshkrimin e marrëveshjes ishte 30 shtatori.
“Nënshkrimi do të varet nga rezultati i votimit në parlament. Dështimi i këtij procesi do t’i shkaktonte dëm të madh Kosovës”, ka thënë Ministri Ismajli.
Zgjedhjet e parakohshme, një vit përpara kalendarit të zakonshëm, do të mund t’i komplikonin përpjekjet e Bashkimit Europian për ta orientuar Kosovën dhe Serbinë në një përafrim delikat dhe për t’i vënë të dyja vendet në rrugë drejt anëtarësimit eventual në këtë bllok.
Një tender i mëparshëm në vitin 2010 kishte shkaktuar rënien e qeverisë së koalicionit. Shitja kolapsi një vit më vonë kur disa menaxherë të lartë ishin akuzuar për korrupsion, edhe pse më vonë janë liruar nga akuzat.