Ndërpritet seanca e Kuvendit Komunal, opozita kërkon dorëheqjen e Liburn Aliut

Opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës, LDK dhe PDK, kanë kërkuar dorëheqjen e drejtorit të drejtorisë për Urbanizëm, Liburn Aliu. Me këtë rast këshilltarët komunal të këtyre dy subjekteve politike, kanë braktisur seancën ku po diskutohej plani zhvillimor urban i lagjes Kalabria.

Lajme

27/04/2015 11:18

Shefat e grupeve të këshilltarëve të LDK-së dhe PDK-së, Sami Hamiti dhe Lirak Çelaj, kanë thënë se pa dorëheqjen e Aliut, nuk do të marrin pjesë në asnjë votim që ka të bëjë me urbanizmin.

Mospjesëmarrja e këshilltarëve komunal të opozitës, bënë të pamundur vazhdimin e seancës, pasi numri i këshilltarëve nga pozita nuk plotëson kuorumin e nevojshëm.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Halim Halimi që vjen nga LDK, ka kërkuar gjysmë ore pushim për t’u dhënë rast shefave të grupeve të këshilltareve që të gjenjnë ndonjë kompromis.

Por në anën tjetër këshilltarët komunal të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë thënë se duhet shkuar në zgjedhje ngase Kuvendi është i bllokuar nga LDK dhe PDK.

E për nënkryetarin e Komunës, Dardan Sejdiu, mbledhja duhet të vazhdojë me rendin e caktuar të ditës, ose ajo duhet të mbyllet, pasi sipas tij, Vetëvendosje nuk pranon negociata për degradim urban. (lajmi.net)